Gjykata e Hagës ka shpallur fajtorë dhe kanë dënuar me burg tre ish-pjesëtarë të UÇK-së për pengim të drejtësisë. Bëhet fjalë për Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari
Gjykata pranoi marrëveshjen e fajësisë që të tre të akuzuarit kishin arritur më parë me Prokurorinë e Specializuar. Sipas vendimit, Haxhi Shala u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u dënuan me 2 vjet burgim secili.
Gjatë seancës, tre të akuzuarit u pajtuan të paguanin një shumë totale prej 500 euro si kompensim për viktimën në këtë rast, e cila identifikohet si “viktima 01”. Nga kjo shumë, 400 euro do të paguajë Shala, 100 euro Januzi, ndërsa Bahtijari nuk do të paguajë asgjë. Shuma duhet të paguhet deri më 19 shkurt 2025.
Të akuzuarit pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, pasi në fund të dhjetorit 2024 kishin arritur një marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranimin e fajësisë, shkruajnë mediat e Kosovës.
Të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për të ndërhyrë në procesin e drejtësisë, duke nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, të njohura edhe si Gjykata Speciale.