Pas gjyqtarëve Gjeli dhe Balliu, kryeministri Edi Rama ka sulmuar një tjetër gjyqtar lidhur me ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një hapësire publike të zaptuar nga një lokal, që ai e ka publikuar me foto në Facebook.
Bëhet fjalë për gjyqtarin Klarent Demiri, i cili sipas Ramës ka marrë dy vendime në favor të pronarit të lokalit, duke penguar çlirimin e kësaj hapësire publike. Kreu i qeverisë shkruan se vendimi i gjyqtarit ka rënë ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE.
Postimi i Ramës:
Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?
Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE
Një gjë është pak po e sigurtë:
Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut
Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre