PD pro arrestimit të Belinda Ballukut: Sot dorëzojmë në Kuvend Raportin e Këshillit të Mandateve

Partia Demokratike do të dorëzojë sot në Kuvend Raportin e Këshillit të Mandateve për ti dhënë autorizimin SPAK-ut, për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi bën me dije se janë pro këskesës së SPAK, me këtë të fundit qe ka dokumentuar në mijëra faqe se Balluku ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro.

Bardhi shkruan se sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg.

NJOFTIMI I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Sëbashku me kolegët e mi të Grupit Parlamentar të PD, sot do të depozitojmë në Kuvend, Raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit.

Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro.

Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg.

Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.

Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të mbrojë Belinda Ballukun, të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria.

Në orën 14:00 në një konferencë për shtyp do të prezantojmë Raportin dhe do të sqarojmë detajet e plota pse kërkesa e prokurorisë duhet të mbështetet dhe duhet ti hapet rrugë arrestimit të Belinda Ballukut.