Partia Demokratike do të protestojë të hënën përpara Kryeministrisë. Protesta e opozitës do të mbahet në orën 18:00, ndërsa në një mesazh dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, theksohet se “pas Lali Erit është radha e Lubi Ballukut dhe Ramaduros që të përfundojnë në qeli”.
“Pas Lali Erit është radha e Lubi Ballukut dhe Ramaduros që të përfundojnë në qeli. Është detyra jonë që ta shpëtojmë Shqipërinë. Që Parlamentin ta kthejmë te njerëzit“, thuhet në mesazh.
Kjo protestë vjen pak javë pasi zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK në lidhje me tunelin e Llogarasë.
Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u paraqit të më datë 31 tetor në SPAK, ku iu komunikua akuza “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarisë – një segment prej 5.99 kilometrash që i kushtoi taksapaguesve 18.9 miliardë lekë ose më shumë se 190 milionë euro.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama i është shmangur gjithashtu komenteve mbi çështjen e Ballukut dhe nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse do ta shkarkonte atë nga detyra që të përballet me drejtësinë, sipas një standardi të vendosur nga vetë ai më herët për bashkëpunëtorë të tjerë kur janë hetuar nga drejtësia.