Pasi gënjeu publikisht për “miratimin” e IBAR-it, Toni Gogu ia hedh fajin opozitës: Keni smirë ndaj progresit të Shqipërisë

Dy ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në një konferencë për mediat se raporti i IBAR për Shqipërinë ishte miratuar nga grupi COELA dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve.

Por propaganda që ai doli të bëjë me shpejtësi rezultoi një gënjeshtër e madhe, pasi raporti nuk është miratuar, por është vendosur dita e nesërme për të marrë një vendim.

Sot, në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja demokrate Albana Vokshi kërkoi nga ministri Gogu që të dalë dhe të kërkojë falje për deklaratën e pavërtetë. “Dy ditë më parë, ende pa u shpërndarë mbledhja ministri Toni Gogu doli në konferencë dhe dha lajmi që IBAR ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve. Si mundet, me çfarë pafytyrësie, apo paaftësie, mundet një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë. Të mashtrojë publikun. Të paktën tre vende anëtare nga 27 kanë pasur probleme me grup-kapitullin e parë. Deri të premten ministri Gogu mund të kishte pritur…ndaj ministri Gogu që shpërndan lajme të pavërteta, të dalë të kërkojë falje”, tha ajo.

Por, në vend që të kërkonte falje, Toni Gogu akuzoi opozitën se kishte smirë ndaj progresit që ka bërë Shqipëria.

“Më vjen keq që ju keni kontribuuar në 8 mijë akuza të ngecjes së progresit. Si ka mundësi që smira juaj politike ndaj progresit të një shoqërie të tërë, se jeni i vetmi formacion shoqëror që shkoni pas. Shkoni 36 vjet pas. Jeni i vetmi formacion që nuk pasqyroni progresin drejt BE, ndërkohë që Shqipëria ecën. Ngrini akuzat, por unë i kam dëgjuar dhe më parë. I kam dëgjuar kur thoni; kryeministri nuk shkon dot në Amerikë, nuk vazhdon dot Shqipëria të ecë përpara”, tha ai.