Ilir Beqaj nxirret nga kafazi i sigurisë, ulet pranë avokatit në gjyqin për “Sterilizimin”

Në Gjykatën e Posaçme po mbahet gjyqi për “Sterilizimin”, ku i pandehur është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sot, ndryshe nga seancat e tjera, Beqaj ka dalë nga kafazi i sigurisë dhe është ulur pranë avokatit të tij Ermal Beqiri.

Ky i fundit pritet të kërkojë sot pushimin e çështjes, pasi sipas tij, akuza që përfshin edhe grupin e strukturuar kriminal, e sugjeruar nga gjyqtarja në seancë paraprake, nuk është zyrtarizuar nga SPAK.

Fillimisht Prokuroria e Posaçme e e akuzoi Beqajn për “shpërdorim detyre”, teksa gjyqtarja ka kërkuar që të hetohet edhe për “grup të strukturuar kriminal”.

Për këtë çështje janë dënuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj me 6 vite burg për veprat penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim”. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur me një të tretën, duke u reduktuar përfundimisht në 4 vite burg.

Ndërkohë, biznesmeni Ilir Rrapaj është dënuar gjithashtu me 6 vite burg. Edhe në rastin e tij është aplikuar procedura e gjykimit të shkurtuar, duke bërë që ai të vuajë përfundimisht 4 vite burg.