Pas vrasjes së gjyqtarit, qeveria ndryshon vendimin për ruajtjen e drejtuesit të SPAK, GJKKO dhe BKH

Disa ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në vendimin për sigurinë e drejtuesve të GJKKO, SPAK dhe BKH.

Qeveria ka ndryshuar vendimin ekzistues që përcakton mbrojtjen personale për gjyqtarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Tashmë krerët e tre institucioneve do të ruhen me truproja të dy niveleve bazë dhe të mesëm si dhe kjo siguri fizike të vijojë me 2 vite pas mbarimit të detyrës për drejtuesin e GJKKO dhe BKH dhe për 3 vite për kreun e SPAK-ut.

Vendimi i Qeverisë:

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.478, DATË 10.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 3 e vendimit nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.

2. Ngarkohen drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.