Urdhri i kryeministrit Rama për kryebashkiakët që të shkarkojnë të gjithë nënkryetarët, administratorët dhe drejtorët po fillon të kundërshtohet nga disa prej tyre.
Pas kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, që deklaroi se nuk do të zbatojë kërkesën e kryeministrit, i radhës ishte Vangjel Tavo i himarës, që tha se nënkryetarët i ka të rinj dhe nuk do t’i largojë nga detyra.
Ndërkohë, i fundit që refuzon të zbatojë urdhrin e kryeministrit është Miftar Dauti, kryetar i Bashkisë Has, i cili u shpreh në një reagim për Top Channel se nuk do të shkarkojë asnjë punonjës.
Sipas tij, punonjësit e bashkisë bënë një punë të madhe vetëm një javë më parë duke shuar vatrën e zjarrit në afërsi të malit të Pashtrikut.
Ndërkohë, e kundërta ka ndodhur në Bashkinë e Kukësit, ku u shkarkuan të gjithë administratorët dhe dy nënkryetarët, për performancë të dobët.