Nuk kanë kaluar as 24 orë nga ultimatumi i kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit e Bashkisë së Vlorës kanë dhënë dorëheqjen.
Burime për mediat bëjnë me dije se dje menjëherë pas largimit të Ramës nga ambientet e institucionit, Kryetari i Bashkisë Ermal Dredha ka mbledhur të gjithë drejtuesit dhe ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen e tyre.
Ndërkohë, kryeministri ka ngritur dy grupe pune për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor:
Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Sipas Ramës, çdo drejtues që nuk ka kryer detyrën ashtu siç duhet, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa zëvendësuesit e tyre do të kalojnë në një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.
Grupi i dytë, ku bëjnë pjesë Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të analizojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.