Pas reportazhit të RAI 3, Meloni viziton Shqipërinë, vizitë në Gjadër te qendrat e  pritjes së emigrantëve

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të vizitojë ditën e sotme Shqipërinë, në një vizitë që do të zgjasë vetëm disa orë.

Ajo do të pritet nga homologu i saj, Edi Rama, ku së bashku do të vizitojnë qendrat e pritjes së emigrantëve afrikanë në Portin e Shëngjinit dhe në Gjadër.

Porti i Shëngjinit do të jetë pika ku do të zbresin refugjatët afrikanë, ndërsa në Gjadër ata do të strehohen për një periudhë 28 ditore, sa parashikon edhe afati i shqyrtimit të kërkesës për azil.

Marrëveshja e nënshkruar nga dy qeveritë parashikon që toka që do të vendosen emigrantët t’i jepet për përdorim Italisë për një afat 5 vjeçar, ku shteti fqinj do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për transportin, akomodimin dhe sigurinë e emigrantëve.

Vizita e Giorgia Melonit në Shqipëri vjen pas reportazhit të emisionit “Report” në RAI 3, i cili hidhte dyshime mbi marrëveshjen mes dy vendeve, duke vizituar edhe qendrat e strehimit, të cilat duhet të kishin përfunduar sipas afateve fillestare, por që ndërtimi i tyre është shtyrë deri në nëntor.