Pas kontrollit nga policia, muxhahedinët dalin në protestë dhe “përzënë” forcat speciale

Policia e Shtetit ka kryer sot një operacion në kampin e muxhahedinëve MEK, ku raportohet për një viktimë dhe disa të plagosur.

Kontrolli erdhi me urdhërin e SPAK pas dyshimeve për eksponentë terroristë brenda kampit të cilët dyshohet se kanë ndërtuar një bazë nga ku janë bërë sulme kibernetike drejt Iranit. Por policia është përplasur me banorët fizikisht pasi ata e kanë quajtur shkelje të privatësisë kontrollin e kompjuterave dhe banesave.

Menjëherë rreth 3 mijë iranianët e akomoduar në këto banesa janë mbledhur dhe kanë dalë duke dëbuar policinë dhe duke mbyllur derën. Aksioni nisi me gaz lotsjellës, pas pretendimit të autoriteteve shqiptare se iranianët nuk lejuan hapjen e derës.

Policia ka dalë jashtë nga kampi kur kanë parë që mijëra vetë kanë dalë në protesë.

Ndërkohë mesohet se ndërhyrja e Policisë së Shtetit nuk ishte e papritur për anëtarët e MEK në Manzë. Më herët, në orën 08.00 të mëngjesit, drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku është takuar me krerët e tyre duke iu dorëzuar mandatin e kontrollit. Pavarësisht kësaj, anëtarët e MEK kanë refuzuar kontrollin dhe urdhët e Prokurorisë.