Pas Hormuzit, Irani sinjalizon presion edhe në Detin e Kuq, rriten frikërat për bllokimin e Bab el-Mandeb

Pas tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, Irani po sinjalizon se mund të zgjerojë presionin edhe në një tjetër pikë strategjike për tregtinë globale. Sipas analistëve, Teherani mund të mbështetet te aleatët e tij Huthi në Jemen për të kërcënuar mbylljen e ngushticës Bab el-Mandeb, hyrja kryesore drejt Detit të Kuq.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane janë intensifikuar, ndërsa edhe rebelët Huthi kanë shtuar aktivitetin e tyre ushtarak. Ekspertët vlerësojnë se Irani po përpiqet ta zgjerojë konfliktin përtej Gjirit Persik, duke ushtruar presion mbi SHBA-në përmes kërcënimit ndaj rrugëve kryesore të transportit dhe furnizimit me energji.

Ngushtica Bab el-Mandeb lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë ndërkombëtare dhe eksporteve të naftës nga Arabia Saudite.

Paralajmërimi erdhi nga Mohammed al-Farah, anëtar i byrosë politike të lëvizjes Ansarullah (Huthi), i cili deklaroi se nëse Arabia Saudite vazhdon sulmet ndaj Jemenit, forcat e tyre janë të gatshme të mbyllin Bab el-Mandeb. Sipas tij, nëse kjo do të ndodhte njëkohësisht me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, çmimi i naftës mund të arrinte deri në 200 dollarë për fuçi.

Studiuesi i Lindjes së Mesme, Fawaz Gerges, tha për Reuters se Irani po përpiqet t’i dërgojë një mesazh Uashingtonit se është në gjendje të kërcënojë njëkohësisht dy nga pikat më të rëndësishme detare për furnizimin global me energji, duke e kthyer konfliktin në një sfidë me pasoja ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ish-negociatori amerikan për Lindjen e Mesme, Dennis Ross, vlerësoi se objektivi i SHBA-së mbetet rikthimi i Iranit në tryezën e bisedimeve, por vetëm nëse Teherani është i gatshëm të pranojë një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët.

Rebelët Huthi kanë dëshmuar edhe më parë aftësinë për të goditur transportin detar në Detin e Kuq. Pas shpërthimit të luftës në Gaza në tetor 2023, grupi i mbështetur nga Irani sulmoi anije tregtare që, sipas tyre, kishin lidhje me Izraelin. Sulmet detyruan kompani të mëdha të transportit detar të ndryshonin itineraret duke kaluar rreth Afrikës, çka rriti ndjeshëm kostot e transportit dhe solli ndërhyrje ushtarake nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për mbrojtjen e lundrimit.

Ekspertët paralajmërojnë se një përshkallëzim i mëtejshëm mund të sjellë pasoja të rënda për ekonominë globale. Sipas tyre, nëse SHBA intensifikon goditjet ndaj infrastrukturës strategjike iraniane, Teherani mund t’u japë dritën jeshile aleatëve Huthi për të bllokuar Bab el-Mandeb, duke shtuar goditjen ndaj tregjeve të energjisë që tashmë po përballen me pasiguritë në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, analistët besojnë se Huthit nuk ka gjasa të ndërmarrin një hap të tillë pa një urdhër të drejtpërdrejtë nga Teherani. Një përpjekje për të bllokuar këtë korridor detar, sipas tyre, do të shkaktonte një reagim të gjerë ushtarak nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, me synimin për të dobësuar ndjeshëm kapacitetet e grupit jemenas.