Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë lidhur me polarizimin dhe represionin në Serbi, përmes së cilës mbështeti të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për të drejtë paqësore. Kjo rezolutë e miratuar nga BE, po ashtu dënon ashpër valën e dhunës nga autoritetet, frikësimet dhe arrestimet e protestuesve.
Gjatë seancës plenare të mbajtur më 22 tetor, rezoluta u miratua me 457 vota për, 103 kundër dhe 72 abstenime.
Në rezolutën “për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, thuhet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.
Në rezolutë eurodeputetët thonë se janë thellësisht të shqetësuar për klimën e tensionuar dhe polarizuese të nxitur nga gjuha e urrejtjes, propaganda anti-BE dhe pro-ruse, dhe fushatat e shpifjes të përhapura nga mediat e kontrolluara nga qeveria dhe nga zyrtarët.
Përmes rezolutës gjithashtu dënohen veprimet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet për organizimin e kampit me tenda në Parkun Pionier, si dhe përdorimi arbitrar dhe politikisht i motivuar i faljeve presidenciale për persona të ndjekur për dhunën ndaj studentëve protestues.
Ndër të tjera, thuhet se eurodeputetët mbështesin dërgimin e një misioni ad hoc për verifikimin e fakteve në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, dhe i bëhet thirrje Komisionit Evropian të ndërmarrë një nismë për sanksione që do të shënjestronin personat përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Serbi.
Por vlen të përmendim këtu se një javë më parë, Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike për një rezolutë që dënonte gjenocidin serb në Kosovë, duke shkaktuar edhe debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.