Parlamenti Europian miratoi sot në seancë plenare në Strasburg, raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024. Raporti u miratua me 502 vota pro dhe 120 kundër.
Miratimi vjen një ditë pasi Parlamenti Europian debatoi mbi raportin për Shqipërinë, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder.
Marta Kos, Komisionere e Bashkimit Europian për Zgjerim kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket.
“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, tha Marta Kos.
Komisionerja për zgjerim u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se bisedimet me Shqipërinë po ecin me një shpejtësi të madhe, edhe pse ende ka shumë punë për t’u bërë.
“Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten. Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”, tha Kos një ditë më parë.