Një homazh i veçantë dhe emocionues iu bë mbrëmjen e djeshme shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, nga Këshilli Bashkiak i Parisit, i cili votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore me emrin e tij në adresën 63 boulevard Saint-Michel, aty ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa nga veprat më të njohura të letërsisë shqipe dhe botërore.
Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Francë, e cila e cilësoi vendimin si një gjest të fuqishëm simbolik, jo vetëm në nderim të figurës së Kadaresë, por edhe të kulturës shqiptare në tërësi.
“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës”, shkruan Ambasada shqiptare në Francë.
Kush ishte Ismail Kadare
Ismail Kadare (1936–2024) është një nga figurat më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe një ndër emrat më të njohur në letërsinë europiane moderne. Vepra e tij ka përfshirë romane, ese dhe poezi, të përkthyera në dhjetëra gjuhë dhe botuar në më shumë se 40 vende. Kadare njihet për stilin e tij të veçantë, ku mitet, historia dhe realiteti politik shqiptar ndërthuren në mënyrë unike.
Kadare ishte anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare prestigjioze, përfshirë Çmimin “Man Booker International” dhe Çmimin “Princesha e Asturias” për Letërsi.
Vendosja e pllakës përkujtimore në boulevard Saint-Michel është një përjetësim i lidhjes së thellë që Kadare kishte me Francën dhe me qytetin e Parisit, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në mërgim.
Ky vendim e vendos emrin e tij pranë figurave të tjera të mëdha që kanë lënë gjurmë në kulturën botërore.