Paralajmëron Këlliçi: Karriera politike e Erion Veliajt merr fund për pak javë

Anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Belind Këlliçi, ka folur mbi thirrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj  në SPAK dhe dëshminë mbi 7 orë që ai dha para prokurorëve të posaçëm.

Ai deklaroi se afera në Bashkinë e Tiranës ka sjellë dëme me vlerë së paku 132 milionë euro, teksa paralajmëroi se karriera politike e Veliajt do të mbyllet brenda pak javësh.

“Ka 8 muaj që ne denoncojmë aferat në Bashkinë e Tiranës, por edhe të qeverisë. Fakti që Erion Veliaj ka shkuar në SPAK është një lajm i vonuar. Flitet për një aferë që janë paguar deri tani 132 milionë euro. Veliaj s’ka takuar asnjë koleg në SPAK, është hetuar. Thirrja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në SPAK duhet të ishte bërë më parë. U rrëzua miti i tij i paprekeshmërisë, duke u thirrur në SPAK.

Unë nuk e di se çfarë ka biseduar ai në zyrat e SPAK, por mënyra e tij e reagimit tregon gjithçka. Veliaj është një hajdut. Kryebashkiaku është quajtur hajdut nga zoti Balliu, por edhe nga qytetarët. Veliaj ka ngritur sistem hajdutërie në Bashkinë e Tiranës. Nesër do të flas personalisht për tjetër aferë, që lidhet edhe me vdekjen e Ardit Gjoklajt. Të tilla skandale as që mund të merren me mend në Europën Perëndimore, ku duam të shkojmë. Për pak javë karriera politike e Veliajt do mbyllet”, deklaroi Këlliçi në News 24.