Loti i dytë në rrugën Qafë Plloçë-Qukës ka pësuar çarje në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë, duke bërë që qarkullimi i makinave të bëhet vetëm në një korsi.
Sipas informacioneve, traseja e rrugës ka pësuar dëmtime si në pjesën qendrore, ashtu edhe në anësore, çka ka bërë të nevojshme kufizimin e lëvizjes në këtë segment. Për arsye sigurie, qarkullimi i automjeteve vijon vetëm në një korsi, ndërsa pjesa tjetër e rrugës mbetet e bllokuar.
Firma kontraktore ndodhet në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa pritet ndërhyrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili është njoftuar për problematikën e konstatuar.
Kjo rrugë u inaugurua vetëm pak muaj më parë, ku e pranishme ishte edhe zv.kryeministrja dhe njëherazi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë.
Kujtojmë se aksi Qukës-Qafë Plloçë kushtoi 260 milionë euro, ndërsa janë dashur 16 vite për ta ndërtuar.