Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet nga populli

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Kuvendit të bëjë ndryshime kushtetuese për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit të vendit përmes votës së popullit.

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011”, shkroi Osmani.

Ajo u bëri thirrje të gjitha partitë politike t’i votojnë këto amendamente kushtetuese.

“Tash e tutje, le të flasë populli”, shkroi Osmani në Facebook.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi përmes votimit të fshehtë të deputetëve.

Thirrja e Osmanit vjen pasi partitë politike nuk arritën marrëveshje për një president konsensual dhe Osmani nuk gjeti mbështetjen e tyre për një mandat të dytë.

Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu i është bashkuar thirrjes së Vjosa Osmanit për të votuar amendamentet kushtetuese.

“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre.
I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, shkruan Haxhiu.