Opozita proteston sërish nesër para Bashkisë Tiranë, posterat kundër Erion Veliajt shpërndahen kudo në kryeqytet

Ditën e nesërme në orën 11:00 do të mbahet protesta e radhës e opozitës para Bashkisë Tiranë, që kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas dosjes korruptive “5D”.

Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, së bashku me të deleguarin politik të Tiranës, Belind Këlliçi, kanë ngjitur në autobusë të ndryshëm në Tiranë posterin ku kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.

Posterat janë ngjitur edhe nëpër pika të ndryshme nëpër qytet si dhe në tabelat e afishimit të reklamave të ndryshme.

Rikujtojmë se protestat e kaluara janë shoqëruar me tensione të shumta, ku është hedhur edhe molotov në drejtim të godinës së bashkisë.

Ndërkohë javën e kaluar, kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj u pyet për 7 orë në SPAK për aferën e inceneratorëve. Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Veliaj tha se kishte kërkuar prej kohësh një takim me prokurorët e SPAK, duke i cilësuar ata si koleg dhe bashkëpunëtor. Por në një reagim, kreu i SPAK Altin Dumani përgënjeshtroi Veliajn, duke thënë se kryebashkiakut i ishte dërguar një fletë-thirrje që më datë 24 prill.