Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve që u zhvillua ditën e sotme në ambientet e Kuvendit u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës për kohën që çdo deputet duhet të flasë gjatë seancës së nesërme parlamentare, ku do të prezantohet programi qeverisës.
Opozita kërkoi që debati i nesërm të jetë pa kufizime kohore, ku çdo deputet të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me programin qeverisës, por kërkesa e Gazment Bardhit nuk u mor parasysh.
Në përfundim të mbledhjes u vendos që çdo deputet do të ketë kohë 10 minuta për të folur, teksa kryeministri Rama dhe një prej anëtarëve të opozitës do të kenë kohë më të gjatë për të folur në lidhje me programin.
Seanca e nesërme pritet të jetë maratonë dhe të vijojë edhe ditën e premte, për shkak se pas programit qeverisës të prezantuar nga Edi Rama, do të nisë debati ku do të flasë çdo deputet i Kuvendit.
Më pas do të vijë edhe votimi i qeverisë së re, e cila të premten pritet të shkojë në Presidencë për t’u betuar para Presidentit Begaj, për të filluar nga puna ditën e hënë.
Kabineti qeveritar “Rama 4”
Zv.kryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë – Belinda Balluku
Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit – Delina Ibrahimaj
Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin – Adea Pirdeni
Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme – Elisa Spiropali
Ministër i Mbrojtjes – Pirro Vengu
Ministër i Mjedisit – Sofjan Jaupaj
Ministër i Brendshëm – Albana Koçiu
Ministër i Financave – Petrit Malaj
Ministër i Drejtësisë – Besfort Lamallari
Ministër i Arsimit – Mirela Kumbaro
Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Evis Sala
Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Andis Salla
Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Toni Gogu
Ministër Shteti dhe Kryenegociator – Majlinda Dhuka
Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit – Blendi Gonxhja
Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor – Ervin Demo
Ministria e Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike – Diella