Deputetja socialiste Olta Xhaçka ka dalë pas dy orësh nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u pyet rreth çështjes së privatizimit të Portit të Limionit.
SPAK nisi hetimet për Portin e Limionit pas një denoncimi nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive, “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a.
Brenda sipërfaqes prej 256 mijë metrash, gjenden edhe 40 mijë metër katrorë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare.
Që prej marsit të 2023-it, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi Bazën Detare të Limionit në Sarandë me qëllim mos tjetërsimin e pronave të ushtrisë. Ndërsa 2 muaj më parë, SPAK dhe BKH kryen disa kontrolle.
Biznesmeni Artan Dulaku, Genard Kastrati administrator i “Marina bay Saranda”, Bardhyl Kollçaku, administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi dhe Teuta Balili janë 5 personat ndaj të cilëve SPAK dhe BKH ka krye kontrolle në banesa dhe zyra.