Olsian Çela raporton në KLP: Viti 2024 i vështirë, mungojnë 35% e prokurorëve! Ulen çështjet e dërguara në gjykatë

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela prezantoi sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë raportin e vitit 2024 në lidhje me punën e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.

Gjatë raportimit, Çela pranoi se viti i kaluar ishte i vështirë për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.

Çela tha se numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka qenë vetëm 209, që përbën 65% të strukturës organike prej 321 vendesh, pra 112 prokurorë më pak.

Po ashtu kryeprokurori Çela theksoi se gjatë 2024-ës janë ndjekur 47501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara.

Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, tha Çela.

Po ashtu Çela tha gjatë raportimit të tij se vijon te mbetet problem arkiva, ku situata sa vjen dhe rëndohet.

Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore, por edhe përmes seleksionimit të materialeve me vlerë arkivore në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, duke punuar ngushtësisht me prokuroritë e rretheve gjyqësore në këtë drejtim. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për  sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre“- tha Çela.

Prokurori i Përgjithshëm bëri me dije se në krahasim me vitin 2023, ka patur një ulje të numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë.

“Janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023 rezulton një ulje prej 6,44 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,63 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë”- shtoi ai.