O’Brien: Kosova të themelojë Asociacionin, Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë

“Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe ndërsa Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë”.

Kjo ka qenë thirrja e Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien në një reagim në rrjetin social X.

O’Brien tha se nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në reagim, ai i kërkoi Kosovës të mbajë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

O’Brien përsëriti thirrjet e SHBA-së që Banka Qendrore e Kosovës të mos e zbatojë rregulloren, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme.

”Mirëpres vizitat e Miroslav Lajçakut tek Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç. Mbështetje e fortë e SHBA-së, për dialogun e lehtësuar nga BE. E nevojshme zbatimi i plotë i marrëveshjeve duke përfshirë AKS. Zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të ecin përpara, koordinim para zbatimit të rregulloreve të reja të monedhave. Republika e Serbisë duhet të mbajë përgjegjës ata që janë përfshirë në sulmin e Banjskës”- shkruan O’Brien në reagimin e tij.