SPAK po zbulon nga dita në ditë copëza të tjera të korrupsionit të ish-ministrit Arben Ahmetaj në aferën e inceneratorëve, teksa pret autorizimin e Kuvendit për arrestimin e një prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes dhe qeverisë së Edi Ramës.
Në shtëpinë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, prokurorët kanë gjetur një telefon “Blackberry” që i përkiste ish-ministrit, ku kanë konstatuar se një pjesë e madhe e komunikmeve janë fshirë, por ekspertët e SPAK kanë arritur t’i rekuperojnë.
Rezulton se nga data 21 Korrik 2012 deri në 10 Tetor 2012, në gati 3 muaj, ka patur 138 komunikime telefonike mes Ahmetajt dhe Mërtirit. Nga komunikimet ndërmjet tyre rezulton se bashkëbiseduesit kanë një raport tepër miqësor, pasi i drejtohen njuëri tjetrit me fjalët: “O la (nënkupton vëlla); fratelo; tigër, i madh etj.
Por në njërin prej komunikimeve të zbardhura, në Shtator 2012 Ahmetaj i kërkon Baftjar Zeqos, atëherëvkryetar i Bashkisë Fier, që të ulen në lokal bashkë me Mirel Mërtirin. Sipas SPAK, kjo provon lidhjen e hershme mes të dyve, e cila është forcuar pas vitit 2014, kur PS kishte ardhur në pushtet dhe Ahmetaj mori postin e Ministrit të Ekonomisë.