I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar edhe sot në sallën e gjyqit lidhur me dosjen “Plumbi i artë”. Ai ka treguar në lidhje me njohjen me Behar Bajrin, ku tha se ka komunikuar përmes Elton Bashës dhe Arlind Bushatit, me këtë të fundit që mbeti viktimë e masakrës në Dobraç pak muaj më parë.
Në sallën e gjyqit ai ka treguar edhe paktin që kishte bërë me Behar Bajrin, ku i ka kërkuar kokën e Talo Çelës, duke i ofruar atij mbi 1.5 mln euro.
“Elton Basha është një mik i imi dhe është nga Burreli. Rrinte në Durrës dhe kam 15 vite që e njoh. Në telefon e kam pas rregjistru me emrin ‘Bisha’. Me Behar Bajrin kam komuniku nëpërmjet Elton Bashës dhe nëpërmjet Arlind Bushatit. Çova Eltonin me një djalë tjetër në takim me Bajrat, këta të fundit shkojnë 10 veta me armë. Behar Bajri më kërkoi për të bërë goditje për Dorjan Dulin dhe Genc Tafilin dhe i kam dhënë mbi 1 mln e gjysmë euro. Ramë dakord për këtë marrëveshje. Nuk morëm asnjë lloj iniciative. Behar Bajrit i kam kërku Talo Çelën. Kishte thashetheme që Talo Çela rrinte te Suel Çela, por jo gjëra të vërteta. Me Behar Bajrin kam komuniku me SKY ECC”, tha Dumani.
Talo Çela dhe Nuredin Dumani, dikur kanë qenë miq të ngushtë ndërsa prej disa vitesh tentojnë të vrasin njëri-tjetrin apo bashkëpunëtorët e tyre.
Teksa Nuredin Dumani është kthyer në të penduarin e drejtësisë, Talo Çela vijon të jetë në kërkim nga policia si një nga personat më të rrezikshëm.