Nuk ka liri për Sali Berishën, SPAK: Ish-kryeministri ka shkelur masën e sigurisë, futi në banesë ish-eurodeputetin dhe gazetarët italianë të RAI 3

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të cilët kërkuan shfuqizimin e masës “arrest shtëpie”.

Po ashtu, nuk u pranua kërkesa e mbrojtjes së Berishës, që kërkon përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Ndërkohë në seancën e sotme, prokurorët e SPAK janë shprehur se Berisha ka shkelur masën e sigurisë pasi ka kontaktuar dhe ka futur në banesën e tij ish-eurodeputetin Elmar Brok si edhe gazetarët italianë të emisionit investigative “Report” në RAI3.

Këtë pretendim të SPAK, avokati Genc Gjokutaj e konsideroi si lajthitje.

“Sali Berisha ka që në në datën 30 Dhjetor pa dalë nga dera këta thonë ka thyer arrestin në shtëpi. Lajthitja e gjykatës dhe SPAK është e tillë që nuk afekton aktivitetin e kryetarit të opozitës”.

Rikujtojmë se Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” që prej dhjetorit të vitit të kaluar, i akuzuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.