Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë sërish në burg Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.
Ai u arrestua për blerje votash vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, teksa që prej asaj dite qëndron në burg, pavarësisht kërkesave të shumta për zbutjen e masës së sigurisë.
Ditën e sotme në SPAK shkoi edhe ambasadorja greke, e cila shpeshherë ka bërë thirrje për lirimin e Belerit, ashtu si edhe shteti i saj.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 14.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 114 akti, datë 05.07.2023 regjistrimi, me objekt “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim Dh.A.B., ndaj vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.