Nuk është “fashistja” që paralajmëruan kundërshtarët, por Xhorxhia Meloni ka tani shumë sfida përpara

“The Economist”

Në fillim të një viti, në të cilin ajo do të përballet me testin e saj të parë real përballë opinionit publik, në kuadër të zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian, Xhorxhia  Meloni do të shpresojë të marrë një lajm të mirë nga shifrat e rritjes ekonomike që pritet të bëhen publike javën e ardhshme.

Në fakt, s’ka gjasa të marrë ndonjë lajm të mirë. Vlerësimet e fundit, treguan se ekonomia italiane ishte rritur me vetëm 0.1 për qind në 12 muajt, që kur kryeministrja e djathtë e Italisë mori detyrën në tetorin e vitit 2022. Eksperti Nilola Nobile i “Oxford Economics”, thotë se të dhënat e 3 muajve të fundit të vitit 2023, mund të jenë madje në shifra negative.

Deri më tani, për këtë situatë nuk po bëhet ende përgjegjëse zonja Meloni. Dhe kjo qasje është e drejtë. Sepse ishte e sigurt se ekonomia italiane, e goditur keq nga pandemia e Covid-19, do të pësonte rënie. Për më tepër, ajo është përballur së fundmi me sfida të reja, ku spikat kriza energjetike e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Por mungesa e rritjes ekonomike, është vetëm një nga 2 “retë”, që po sillen vërdallë në një qiell kryesisht të pastër. E dyta është rritja e migrimit të paligjshëm, të cilin synon ta frenojë edhe koalicioni i krahut të djathtë të zonjës Meloni.

Numri i të ardhurve përmes Detit Mesdhe u rrit në 157.652 vitin e kaluar, një rritje kjo prej 50 për qind krahasuar me vitin 2022, dhe shifra më e lartë që nga viti i pikut, 2016. Qeveria italiane, shpreson që të devijojë disa prej anijeve drejt 2 qendrave të prirjes që parashikohet të ngrihen në Shqipëri.

Por ky plan ka hasur në një sfidë ligjore atje, që ende nuk ka gjetur zgjidhje. “Zonja Meloni po e dikton gjithnjë e më shumë skenën publike”- thotë Lorenco Kastelani, lektor mbi politikën në Universitetin LUISS në Romë. Koalicioni i saj ka një shumicë komode dhe mbetet i bashkuar, pavarësisht grindjeve të herëpashershme.

Sondazhet e fundit e renditin partinë e kryeministres, Fratelli D’Italia (Vëllezërit e Italisë) në krye me 29 për qind të votave, krahasuar me vetëm 9 për qind për Lega-n e udhëhequr nga Mateo Salvini dhe 7 për qind për Forza Italia, pa themeluesin e saj, Silvio Berlusconi, i cili vdiq në qershor të vitit të kaluar.

Përpjekjet e Salvinit për të rikthyer mbështetjen e humbur në raport me partinë e Melonit, përmes një qasjeje gjithnjë e më të ashpër, nuk i kanë dhënë deri më tani Legës vlerësime më të mira në sondazhe. Nga ana tjetër, opozita është e ndarë midis Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet, një forcë populiste.

Sondazhet e fundit tregojnë se drejtuesja e PD, Eli Shlein, është më pak popullorja nga udhëheqësit kryesorë të partive italiane. Marrëdhëniet e Italisë me aleatët e NATO-s janë të mira. Italia i ka dhënë shumë mbështetje në para dhe armë Ukrainës, teksa ka pasur një mbështetje paksa më të heshtur për Izraelin.

Po ashtu, ka arritur ta kënaqë Brukselin me sjelljen e saj, ndaj Komisioni Evropian ka vazhduar kalimin e kësteve të rregullta nga shuma totale prej 194 miliardë eurosh të akorduara për Italinë nga Fondi i Rimëkëmbjes nga Covid-19, që deri tani është i madhi nga të gjithë vendet anëtare.

Por marrja e parave është një gjë, dhe shpenzimi i tyre një gjë krejtësisht tjetër. Aktualisht po rritet shqetësimi mbi aftësinë e Italisë për të shpenzuar të ardhurat e saj të papritura. Një investigim nga Openpolis, një ojq me seli në Romë që promovon transparencën, tregon se në të vërtetë gjatë gjithë vitit 2023 janë shpenzuar vetëm 2.5 miliardë euro.

Stimulimi i pritshëm për ekonominë kur vërshojnë paratë, është arsyeja kryesore pse nuk është shitur asnjë pjesë e borxhit italian, pavarësisht rritjes së normave të interesit dhe deficitit që nga viti 2019. Një arsye tjetër është se Banka Qendrore Evropiane  e bëri të qartë në qershor 2022, se nuk do të toleronte një diferencë kaq të madhe midis normave të interesit në Itali dhe atyre të Gjermanisë, që mbeten një pikë referimi për gjithë bllokun.

Por BQE, por edhe për Komisionin Evropian, pret vazhdimin e reformave strukturore në këmbim të mbështetjes së saj. Dhe nuk është aspak e qartë nëse qeveria e zonjës Meloni dëshiron që t’i kryejë ato. Një nga pengesat më të mëdha për sipërmarrjen – dhe për investimet e huaja direkte – është vonesa që hasin bizneset në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe rikuperimin e borxheve.

Marta Kartabia, Ministre e Drejtësisë në qeverinë e mëparshme të Mario Dragit, miratoi ndryshime procedurale, një program të dixhitalizimit të sistemit, dhe punësoi rreth 8.,500 avokatë të rinj. Sot koha që duhet për të zgjidhur një çështje civile, është pakësuar me gati 20 për qind.

Ndërsa numri i rasteve të prapambetura në gjykata, ka rënë me më shumë se 1/3. Qeveria aktuale i është përmbajtur këtyre ndryshimeve. Por kontributi i saj për të përshpejtuar jo vetëm punën e gjykatave, por edhe forcimin e pozitave të BE-së është i diskutueshëm. Një projektligj i ri, synon që të shfuqizojë krimin e shpërdorimit të detyrës.

Një nga qëllimet e tij është për t’u lavdëruar:të eliminohet ngurrimi i zyrtarëve për të nënshkruar projekte, pasi ata kanë frikë se do të bien pa dashje me ligjin. Për shembull, duke i dhënë tenderin një kompanie, që më vonë rezulton të jetë e lidhur me mafien.

Por në një vend të shumë të ndikuar nga ndikimi i krimit të organizuar, projektligji ka shkaktuar shumë protesta nga avokatët dhe ojq-të. Ai ka nxitur kritika edhe nga Brukseli.

Ndërkohë jo pak problematik është edhe liberalizimi i ekonomisë, një dukuri aspak e re. Çdo qeveri e të djathtës në Itali gjatë 30 viteve të fundit, ka refuzuar të sfidojë interesat personale në dobi të së mirës së përgjithshme.

Sidomos Lega, ka bërë çmos që të mbrojë nga konkurrenca bizneset e vogla italiane, shpeshherë të drejtuara nga familjet. Por në rastin e qeverisë së zonjës Meloni, ka një element të ri:partia e saj është frymëzuar nga një filozofi ekonomike që është proteksioniste, korporatiste, etatiste dhe shumë kritike ndaj tregjeve të lira.

Ministrat e saj kanë ndërhyrë ose janë përpjekur të ndërhyjnë vazhdimisht në funksionimin e tregjeve. Ata janë përpjekur të kufizojnë rritjen e çmimeve në disa linja ajrore, si dhe të vendosin një taksë mbi fitimet shtesë të bankave si pasojë e inflacionit.

Po ashtu, ata planifikojnë ta kufizojnë pavarësinë e korporatave në një mënyrë, e cila do të reduktonte ndikimin e investitorëve të huaj të drejtpërdrejtë. Asnjë privatizim nuk është në gati të ndodhë, edhe pse zonja Meloni këmbënguli më 22 janar se Ministria e Financave mund të mbledhë 20 miliardë euro brenda 3 viteve falë privatizimeve të pjesshme, që nuk rrezikojnë kontrollin e shtetit mbi kompanitë në fjalë.

Për më tepër, nuk ka pasur ndonjë lëvizje serioze drejt shfrytëzimit të pasurive të paluajtshme të shtetit. Dhe kjo shtron pyetjen se si qeveria, e cila miratoi një buxhet më të madh për vitin 2024, synon të zvogëlojë – ose të paktën të mbajë në të njëjtin nivel – stokun e saj të borxhit bruto që përbën rreth 140 për qind të PBB-së.

Këtë javë OECD, e paralajmëroi Italinë që të shkurtojë shpenzimet, të rrisë taksat, ose të dyja bashkë. Nga të gjitha vendet në Evropë, Italia është njëherë për njëherë ndër ato që ngjallin më pak shqetësim. Por sfidat më të mëdha të qeverisë së saj, shtrihen kryesisht në të ardhmen.

Qeveria e Melonit, duhet të gjejë urgjentisht një mënyrë për të frenuar migracionin e paligjshëm, nëse dëshiron që të qetësojë votuesit e saj, dhe të shpenzojë më shpejt paratë e fondit të rimëkëmbjes nga pandemia. Mbi të gjitha, ajo ka nevojë për një strategji të rritjes ekonomike, e cila shkon përtej injektimit në ekonomi të parave të marra nga BE-ja.

“Në rast se nuk do të mundim ta ndryshojnë normën e rritjes ekonomike, atëherë do të jemi vërtet në telashe serioze”- paralajmëron Francesko Xhavaci, i cili ishte këshilltari ekonomik i Mario Dragi, kur ky ishte kryeministër i vendit.