“Nuk do ju lejojmë të na plaçkitni”- Protestë kundër zaptimit të tokës para Kuvendit

Banorët e Rrjollit kanë protestuar këtë të hënë para Kuvendit kundër ndërtimit të një resorti në tokat e tyre.

Kësaj proteste iu bashkuan edhe banorët që preken nga projekti TID në Durrës, të Gjoricës, Ballshit, Kurdarisë, Borshit dhe Pogradecit.

Banorët kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë, duke thënë se po u bën jetën shumë të vështirë.

Megjithatë kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga e drejta për të mbrojtur tokat e tyre.

“Nuk na e mohojnë dot. Kryeministri del e thotë se kanë letrat e falsifikuar, a ka shkuar ndonjë herë të shohë se çfarë ndodh në këto institucione tona”, tha një prej protestuesve para Kuvendit.

Ndërkohë një banore e Durrësit, e cila kundërshton projektin TID, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e ka cilësuar si aktorin kryesor për grabitjen e pronave.

“Unë jam Rita nga Durrësi. Edi Rama që i fillove dhe mbylle gjithë hipotekat, i çove gjyqet në Tiranë, i kopsite dhe vodhe pronat. Je bastard me këtë që po i bën popullit shqiptarë. Të gjithë deputetët e kanë frikë Edi Ramën. Ai është Sulltan Murat. Harroje, popullin e ke kundër. Po i lë njerëzit pa shtëpi”, tha një banore e Durrësit.

Kujtojmë  se këta banorë po protestojnë prej muajsh, por ende nuk kanë gjetur zgjidhje nga qeveria.