“Nji za, nji shpirt”! Ermonela Jaho vjen në Gjakovë me 15 nëntor

Me 15 nëntor, sopranoja e madhe Ermonela Jaho vjen me një shfaqje shumë të veçantë në Gjakovë.

“Është diçka krejt ndryshe nga koncertet e mëparshme”, shprehet ajo për Ditar.al. “Kam rënë në dashuri me këtë qytet kur erdha për herë të parë dhe mezi pres të vij me 15 nëntor për një shfaqje të konceptuar si një udhëtim muzikor në shpirtin e shqiptarit”.

Jaho do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës dhe një dirigjent i njohur spanjoll.

Ermal Hasimja, një nga organizatorët, është vetë me origjinë nga Gjakova. Ai tregon se shfaqja ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e publikut drejt këtij qyteti që ka ruajtur më shumë se cilido tjetër kulturën dhe traditat shqiptare. Hasimja falenderon drejtorin e TOB-it, Aulon Naçi për gatishmërinë dhe bashkëpunimin entuziast.

Shfaqja do të jepet në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”. Jo rastësisht Gjakova ka sallën më të madhe në Kosovë. Vetë qyteti ka repertorin e tij origjinal muzikor të lidhur ngushtë me muzikën qytetare shkodrane e atë të Shqipërisë së Mesme. Ka qenë traditë e përhershme që pothuajse në çdo familje njëri prej fëmijëve të bëhet muzikant.

Gjatë vizitës së saj korrikun e shkuar sopranoja jonë e famshme u befasua kur mësoi se shkolla e muzikës “Prenk Jakova” ka pothuajse dyfishin e nxënësve të liceut artistik të Tiranës, megjithëse Gjakova është vetëm një qytet me 50.000 banorë.

Prej këtij qyteti kanë dalë emra të njohur të muzikës shqiptare si Avni Mula, Qamili i Vogël, Ismet Peja e më pas Shkëlzen Doli apo Petrit Çarkaxhia i grupit Jericho e shumë të tjerë.

Shfaqja “Nji za, nji shpirt” organizohet nga Fondacioni për Gjakovën, një organizatë jofitimprurëse që vepron për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit. Aktivitete të tjera të shumta do të shtrihen përgjatë gjithë pjesës së dytë të nëntorit. Kështu me 21 nëntor Petrit Çarkaxhia prezanton për herë të parë projektin e tij solo në po të njëjtin teatër ku do të këndojë Jaho. Me 27 nëntor një grup nga Greqia sjell për herë të parë tingujt e harruar të këngëve arvanitase. Pas tyre arbëreshja Anna Stratigo me grupin e saj të grave prezanton meloditë e njohura për të gjithë. Në skenë do të ngjiten edhe dy ansamblet kryesore të këngëve dhe valleve popullore të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Përveç kësaj emra të njohur si Artan Fuga, Veton Surroi, Jusuf Buxhovi, Erald Kapri, Shkëlzen Gashi, etj do të flasin për tema të rëndësishme aktuale përpara një publiku më të zgjedhur. Ndërsa në datat 27-30 nëntor Çarshia e Vjetër, më e madhja ende funksionale në Ballkan, do të shndërrohet në një panair shumë të veçantë libri. Secila nga shtëpitë botuese pjesëmarrëse do të prezantojë librat e saj në një nga lokalet e Çarshisë, ndërkohë që po aty lexuesit do të mund të diskutojnë me autorët e preferuar rrotull një çaji a një kafeje.