Në prill të këtij viti New York Times publikoi një artikull me titull “Miliarderët sirianë kishin nevojë për një favor në Uashington. Ata thirrën emrin Trump.”
Shkrimi i kushtuar vëllezërve sirianë Khayyat, të cilët do të bëheshin të njohur për publikun shqiptar si investitorët pas projektit të Zvërnecit, tregon se si miliarderët u afruan me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Mes të tjerash në artikull zbulohet dhe një detaj interesant. Ai se cili ishte njeriu që afroi vëllezërit sirianë, tashmë rezidentë në Katar, me presidentin amerikan.
“Verën e kaluar, Përfaqësuesi Joe Wilson, republikan i Karolinës së Jugut, ishte ulur në zyrën e tij në Capitol Hill i tërhequr nga vëmendja, ndërsa investitorët e Lindjes së Mesme paraqitën planet e tyre në një video-thirrje për të zhvilluar prona bregdetare në Siri. Një port anijesh turistike. Një klub polo. Një sallë ekspozite makinash Bugatti. Një fushë golfi e klasit botëror. E gjitha kjo në një vend që sapo ishte shkatërruar nga lufta civile. As kjo nuk ishte gjithçka. Ndërsa Mohamad Al-Khayyat, një biznesmen i fuqishëm i lindur në Siri, po paraqiste propozimin, vëllezërit e tij po fitonin më shumë se 12 miliardë dollarë në kontrata të sponsorizuara nga qeveria për të rindërtuar një pjesë të gjerë të ekonomisë së shkatërruar siriane,” thuhet në artikull.

Joe Wilson, kongresmeni Republikan i Karolinës së Jugut, që njihet si një nga aleatët më të afërt të presidentit Trump në Kongres, ishte njeriu i cili lidhi vëllezërit Khayyat me familjen Trump. Tani, ai është kongresmeni, që po i kërkon Departamentetit të Shtetit dhe agjencive ameriokane të inteligjencës të hetojnë lidhjet e qeverisë Rama me trafikun e drogës.
Ky është një detaj shumë i rëndësishëm. Pra njeriu që bëri bashkë investitorët nga Katari me familjen e presidentit Trump, nga ku lindi dhe projekti i Zvërnecit, tashmë është duke sulmuar Edi Ramën në kongresin amerikan.
Kjo i jep zë një tezë, e cila ka filluar të qarkullojë në korridoret diplomatike dhe ato politike të Tiranës së fundmi. Atë se futja e familjes presidenciale në telashe me projektin në Zvërnec mund të ketë shkaktuar jo pak mërira në Uashington ndaj kryeministrit të Shqipërisë.
Prej kohësh ccështja e Zvërnecit dhe revolucioni i Flamingove janë në faqet e para të mediave më të mëdha të botës, një pjeë e madhe e të cilave po i përdorin ngjarjet në Shqipëri për të sulmuar Donald Trump. Paralelisht këto ngjarje kanë filluar të përdoren edhe nga kundërshtarët politikë të zotit Trump.
Senatori demokrat nga Georgia Jon Ossoff pak ditë më parë kritikoi ashpër faktin që kompania e Jared Kushner dhe Ivanka Trump morën statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare pak javë pasi Donald Trump fitoi një mandat të dytë. Ossoff ka ngritur pikëpyetje për financimet nga vendet e Gjirit dhe ka paralajmëruar hetime të mundshme në Kongres.
Për familjen e fuqishme Trump interesi nga investimet në Zvërnec dhe Sazan është ekonomikisht i parëndësishëm. Por kostot politike dhe ato në imazh që po shkaktojnë janë jo të vogla. Dhe amendamentet ne Kongresin Amerikan për të hetuar lidhjet e qeverisë shqiptare me drogën, ndoshta mund të mos jenë edhe aq të rastësishme. Kapitali.al