Goditet skema e mashtrimit me Call Center në Shkodër, disa të arrestuar

Një rast i mashtrimit të qytetarëve përmes call-center është goditur nga Policia në Shkodër teksa u arrestuan disa persona.

Në prangat e policisë ranë Fabian Popaj, Lisenko Muçaj, Basri Nikshiqi, Nikolin Biba.

Po ashtu janë proceduar penalisht 61 punonjës, të cilët u kapën në flagrancë gjatë ndërhyrjes së Policisë, në call center.

Uniformat blu sekuestruan 152 pajisje elektronike, nëpërmjet të cilave dyshohet se kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në funksion të një procedimi penal, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Netëork”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-F. P., 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, administrator i subjektit;
-L. M., 43 vjeç, B. N., 41 vjeç dhe N. B., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas organizonin veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik në këtë subjekt dhe drejtonin grupet e punonjësve.

Gjatë operacionit, në ambientet e subjektit u kapën në flagrancë, gjatë ushtrimit të aktivitetit, 61 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit të ambienteve u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 152 pajisje elektronike (kompjuterë, laptopë dhe pajisje të tjera të përdorura për ushtrimin e veprimtarisë), një shumë parash, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.