Një vit pas arrestimit, kalon për gjykim dosja ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj

Një vit pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK, GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen nga kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë.

Aktualisht, Veliaj ndodhet në masën “arrest me burg” ndërsa bashkëshortja e tij në masën “detyrim paraqitje”.

Në korrik të 2025-ës, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen “Veliaj” dhe e dërgoi për gjykim.

Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehja e të ardhurave.

SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

SPAK nënvizon se Veliaj me firmën e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të dhe këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.