Gjykata e Janinës ka vendosur të rrezojë kërkesën e prokurorisë Shqiptare për ekstradimin e Laert Haxhisë.
Haxhia do qëndrojë në burg vetëm për largim nga vendi i aksidentit,dhe prishje të qetësisë publike.
Pavarësisht vendimit për refuzim të ekstradimit, prokuroria themelore e Janinës pritet ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar ekstradimin e Laert Haxhiut në Shqipëri.
I kontaktuar në telefon avokati i Laert Haxhiut konfirmoi vendimarjen e drejtësisë helene duke u shprehur se beteja ligjore do vijojë në Apel deri në gjykatën e Lartë Greke.
Laert Haxhiu është shpallur në kërkim nga prokuroria e Fierit për vrasjen e Besnik Hidës në Lushnjë.
Masë sigurimi arrest në burg Lart Haxhiu ka edhe nga SPAK edhe për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në vitin 2017 në Lushnjë.
Ai qëndronte i “maskuar” me dokumente të falsifikuara në Greqi dhe mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
Si u arrestua Laert Haxhiu?
Në maj të këtij viti policia tentoi të ndalojë një automjet në fshatin Eleousa, Janinë, në afërsi të kufirit greko-shqiptar. Në këtë makinë ishte Haxhiu i cili kishte kaluar kufirin shqiptaro-grek dhe po tentonte të futej në Greqi.
Drejtuesi i mjetit tip BMW X5 nuk i bindet policisë, shton shpejtësinë dhe largohet. Gjatë ndjekjes godet tre mjete të tjera dhe pasi çan gomën në një bordurë, bllokohet në semafor në rrugën “Vorio Eipiro” të Janinës me airbagë të hapur.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke vënë më pranga tre personat që ndodheshin në makinë. Pas shoqërimit në Komisariatin e Janinës, ka rezultuar se njëri prej tyre ishte Laert Haxhiu.