Një mbledhje gjysmake e Kryesisë së Partisë Demokratike, drejton kryetar Lulzim Basha

Hapat e tyre dëgjohen lehtë, pasi edhe numri i tyre është shumë i vogël. Të gjithë të buzëqeshur, aq sa kanë mbetur, hyjnë një nga një në sallën ku Lulzim Basha i ka thirrur për të drejtuar mbledhjen e parë pas rikthimit në krye të Partisë Demokratike, në zgjedhjet që i dominoi nga fllimi dhe deri në fund.

Janë anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike, më saktë gjysma e tyre, pasi pjesa tjetër kanë zgjedhur që të mos bëhen pjesë e një komedie që nuk dihet kur do mbarojë.  Fitim Zekthi, Taulanda Jupi, Arbi Agalliu, Gazmend Koduzi, Mirela Karabina, Oriola Pampuri, Gentian Gaba, Kreshnik Çollaku, Flutura Açka, Merita Bakiu, Xhemal Gjunkshi, Enkelejd Alibeajt dhe Indrit Sefa, iu bashkuan kryetarit të tyre të ri në një mbledhje ku u morën vendime të rëndësishme për të ardhmen e partisë së vulës.

Në të djathtë qëndron Enkelejd Alibeaj, ai që nuk e tradhtoi kurrë kryetarin, madje zbatoi do urdhër të tij edhe kur këto urdhra vinin nga Holanda apo ndonjë shtet tjetër, ku Basha vendoste të kalonte qetësisht ditët pasi kishte çuar demkratët drejt humbjes së radhës dhe një krize të thellë.

Në të majtë do të duhej të qëndronte Gazment Bardhi, por ky i fundit ka disa javë që ka bërë autokritikë, pasi kuptoi se rikthimi i Bashës në krye të PD-së nuk është asgjë tjetër veçse zgjatje e mandatit të Edi Ramës, jo vetëm në zgjedhjet e 2025-ës, por nuk dihet sesa vite të tjera. Kështu, në atë vend qëndronte i lumtur Indrit Sefa, që ka marrë në dorë çështjet ligjore të partisë së Bashës.

Por mbledhja kishte një mungesë të madhe! Atë, kryetarin e përhershëm të KQZ-së në PD, numërueisn më të mirë që ka njohur historia e demokratëve, atë pa të cilin fitoret e Bashës nuk do të kishin kuptim, Jemin Gjana. Njeriu që i ka sjellë Bashës fitoret më të mëdha në karrierën politike mungonte në një nga ditët më të rëndësishme. Ishte i pranishëm online, por do të duhej të ishte aty pranë kryetarit, për të parë edhe ne të tjerët nëse do të ulej në vend të Indrit Sefës, apo ky i fundit nuk do e linte karrigen që po e mbron me të gjitha kushtet.

Pasi të gjithë zunë vendet e tyre, ku përveç anëtarëve të Kryesisë në karriget bosh u ulën edhe njerëz të tjerë përkrahës të Bashës, pasi duhej që foto të dukej sa më e bukur, kryetari i pamposhtur mori vendimin: Në 2 Shtator do të mbahet Kuvendi i Partisë Demokratike me 3 pika në agjendë.

Ndryshime statutore;  Vendime organizative në përputhje me vendimet statutore;  Miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike.

Ndryshimet statutore dhe vendimet organizative janë çështje që i përkaisn partisë dhe nuk na duhen, por agjenda që do të ndjekë kjo parti u intereson shumë qytetarëve. A do të arrijë Bashaa që mbi 16 mijë votuesit e tij t’i mbledhë edhe në sheshe për të protestuar mbi rritje e çmimeve, rritjen e varfërisë, të protestojë për ligjin që po izolon studentët e mjekësisë?

Ne na mbetet vetëm të presim e të shohim, por nisur nga eksperienca që kemi patur me Bashën në krye të PD-së, pritshmëritë janë minimale, për të mos thënë 0.