Një ditë para protestës kombëtare, Berisha flet me tone të ashpra: Rama do ketë fatin e Enver Hoxhës për së gjalli

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ju ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen ditën e nesërme protestës së thirrur nga PD kundër qeverisë.

Në Foltoren para Kryeministrisë, Berisha ftoi edhe policinë që t’i bashkohet protestës së qytetarëve më 10 shkurt, duke theksuar se nesër është një ditë e madhe për të ardhmen, prosperitetin dhe lirinë e vendit.

“Nesër u bëj thirrje forcave të rendit të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit. Bashkohuni me interesin e familjeve tuaja, të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Bashkohuni të shporrim këtë bandë kusarësh. Bashkohuni me misionarët që do shporrin këtë qeverinë, do rikthejnë lirinë, udhëtimin drejt Europës.

Të gjithë në Tiranë në kryengritjen paqësore të fitores, për Europën. Mirënjohje KE për deklaratën e sotme që i tha kryehajdutit se kurrë drejtësinë s’mund ta pengosh. Ta detyrojmë hajdutin të shkojë te… aty ku e ka vendin. Nesër e gjithë Shqipëria në Tiranë”- u shpreh Berisha.

Ndërkohë Berisha, një ditë para protestës, kishte edhe një mesazh për kryeministrin Edi Rama.

“Një bajloz i zi do të mbyllë shqiptarëve rrugën drejt Europës. Do të asgjësojë drejtësinë për të mbrojtur paranë e krimit, konton bankar, brenda dhe jashtë. Nesër, është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE. për dyert e hapura të Shqipërisë. Nesër, mesazhi ynë 1 dhe vetëm 1, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve se fatin e Enver Hoxhës edhe ti për së gjalli. A ka krim më të shëmtuar”- tha ai.