Nisin punimet për kampin në Portin e Shëngjinit, do të zbarkojnë emigrantët afrikanë që do kapen në det nga Italia

Prej dy ditësh kanë nisur punimet për ndërtimin e kampit në Shëngjin ku do të zbarkojnë emigrantët afrikanë të kapur nga Italia në Detin Mesdhe.

Mësohet se është rrethuar një perimetër i madh ku është parashikuar të ngrihet edhe kampi ku do bëhet regjistrimi i emigrantëve, të cilët më pas do të transferohen në kampin në Gjadër, në pritje të procedurave për azil.

Nga Drejtoria e Portit ende nuk ka ende asnjë informacion mbi detajet e projektit.

Më datë 19 shkurt, Gjykata Kushtetuese i dha dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë. 3 ditë më pas Kuvendi e ratifikoi këtë marrëveshje me gjithë kundërshtimin nga opozita dhe shqetësimet e ngritura për mungesë transparence.

Fillimisht pritet të strehohen rreth 3.000 persona, ndërsa në një vit fluksi emigrator mund të shkojë deri në 36.000 persona.

Ndërkohë para pak ditësh kanë nisur edhe punimet për ndërtimit e kampit në Gjadër teksa emigrantët e parë pritet të mbërrijnë në muajin maj.