Nisin “krasitjet” në Parkun Kombëtar

Lumi i Vjosës, një thesar i Evropës dhe një simbol i biodiversitetit të pasur dhe të rrjedhjes natyrore të ujërave, po përballet me një sfidë të re: mbijetesën.  Një projekt për ujësjellësin e Himarës kërcënon të ndryshojë peizazhin e tij të egër.

Lumi i Vjosës u shpall Park Kombëtar i Kategorisë së Dytë në 13 mars të vitit të kaluar, por pa mbushur ende një vit të plotë nga marrja e këtij statusi, lumit “të egër”, të vetmit që ka mbetur në Evropë po i priten degët.

Ky lumë është cilësuar si “i egër” për shkak se uji i tij rrjedh në mënyrë natyrore, çka do të thotë se mbi të nuk janë ndërtuar hidrocentrale dhe nuk janë kryer punime që devijojnë rrjedhën e tij të lirë.

Në vitin që lamë pas, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se shpallja e lumit Vjosë si Park Kombëtar është kategoria e dytë e mbrojtjes, mbrojtje shumë më e lartë seç mund t’i ofronte statusi që ky lum gëzonte si Park Natyror.

“E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje në 12.727 hektarë që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i një lumi të egër në Evropë”,- deklaroi ministrja Kumbaro!

Po “sot” leja infrastrukturore për ndërtimin e ujësjellësit të Himarës në njërën prej degëve kryesore të lumit Vjosë, në atë të lumit Shushicë, e dhënë nga kjo bashki që në vitin 2022 rrezikon Parkun. Punimet e këtij projekti  janë parashikuar të përfundojnë në muajin gusht të këtij viti.

“SHKËPUTJA” E LUMIT SHUSHICË NGA PARKU KOMBËTAR I VJOSËS

Dega e lumit Shushicë përshkron 30 fshatra duke u kthyer në burim kryesor për vaditjen e tokave bujqësore, si dhe shërben si burim kryesor uji për bagëtitë që rriten nga fermerët e zonës. Fshatrat që ndodhen në rrjedhën e sipërme të këtij lumi janë pjesë administrative e Bashkisë Himarë, ndërsa ato që shtrihen në rrjedhën e poshtme përfshihen në territorin e Bashkisë Selenicë.

Sipas banorëve të këtyre fshatrave, ata nuk janë përfshirë në asnjë konsultim publik të realizuar nga Bashkia Himarë duke u përjashtuar gjatë procesit të vendimmarrjes për ndërtimin e ujësjellësit të Himarës. Ata protestuan në rrjedhën e lumit Shushicë në fshatin Kuç, në   gusht të vitit 2023 e më pas më 24 shkurt të këtij viti, 2024.

Bujar Jari, Kryeplaku i Fshatit Mesaplik, pjesë e Bashkisë Selenicë, thotë për “Sinjalizo” se asnjërit prej banorëve që jetojnë në rrjedhën e lumit Shushicë, e as përfaqësuesve të këtyre fshatrave, nuk u është marrë mendimi para fillimit të punimeve, që nisën zyrtarisht më 10 janar 2023.

Gjatë zhvillimit të protestës, Jari tha për “Sinjalizo” se ndërtimi i ujësjellësit mbi degën e lumit Shushicë do të shoqërohet me pasoja të mëdha në veprimtarinë bujqësore dhe blegtorale të banorëve të këtyre zonave.

“Ne këtu kemi po protestojmë kunder këtij projekti, që këta kanë vendosur ta marrin ujin dhe ta çojnë në Himarë. Nëse neve, si fshat, do na iki uji i lumit ne, si fshat, quhemi të falimentuar”,- thotë Jari duke shtuar se përveç përdorimit të ujit për vaditjen e tokave bujqësore, në fshatin Mesaplik banorët kanë rreth 5 mijë krerë bagëti, për të cilët çështja e ujit të pijshëm do të kthehet në problem madhor.

Për Kastriot Shehun nga fshati Gumenicë, topograf dhe njëkohësisht Kryetar i Shoqatës “Gjelbërimi 2000”, pas shkatërrimit në vitet ‘90 të 14 stacioneve të pompave që përdoreshin gjatë sistemit të komunizmit për vaditjen e tokave bujqësore, rrjedhja e ujit në degën e lumit Shushicë mbetet për fshatin e vetmja pasuri natyrore.

“Bashkia e Selenicës sot ka 320 mijë rrënjë ullinj, ndersa në vitin 1991  ka pasur vetëm 40 mijë rrënjë ullinj”,- thotë Kastriot Shehu duke theksuar se kultivimi i ullirit për banorët e zonës është i mundur vetëm  falë ujit të lumit Shushicë.

Olsi Nika, biolog mjedisi dhe ekspert në vlerësimin biologjik të cilësisë së ujërave, njëkohësisht Drejtor ekzekutiv i “Eco Albania” thotë për “Sinjalizo” se pasojat kryesore të ndërtimit të këtij ujësjellësi në degën e lumit Shushicë lidhen me faktin se projekti parashikon marrjen e ujit që nga burimi i lumit, duke e devijuar në një basen tjetër çka do të sjellë pasoja negative në të gjithë funksionimin e ekosistemit.

Sipas Nikës, devijimi i ujit do të shoqërohet me “stres ujor” për gjallesat ujore, bimë apo kafshë invertebrorë, të cilët janë një arsye përse Vjosa u shpall Park Kombëtar dhe njëkohësisht do e zhbënte lumin Shushicë nga të qenurit pjesë e Parkut Kombëtar.

“Nëse ky projekt vazhdon Vjosa mund të quhet Park Kombëtar, por Shushica nuk mund të jetë më pjesë e këtij parku kombëtar, sepse Vjosa ka dhe degë të tjera që nuk janë përfshirë në parkun kombëtar pikërisht për këtë arsye, sepse nuk janë në rrjedhje të lirë siç lumi Vlorës (Shushica) është, siç Drinos është…kjo e bën Vjosën të jetë unike në ekosistemet në Evropë, sepse nuk është vetëm Vjosa por edhe degët që janë me rrjedhje të lirë”,- thekson Olsi Nika, duke shtuar se “Eco Albania” së bashku me 54 banorët e Njësive Administrative Brataj, Kuç, Kotë e të tjera zona, kanë ngritur një padi ndaj Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Bashkisë Himarë dhe Këshillit të Basenit Vjosë për një sërë shkeljesh ligjore që, sipas tyre, lidhen me ndërtimin e këtij ujësjellësi dhe tani duhet që Drejtësia të thotë fjalën e fundit.

Sipas padisë së ngritur prej tyre, shkeljet ligjore lidhen me mungesën e konsultimeve publike me banorët që preken drejtpërdrejtë nga ndërtimi i ujësjellësit. Në Planin e Përgjithshëm Kombëtar, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) zona përreth lumit Shushicë është e projektuar drejt turizmit, agroturizmit, ekoturizmit, turizmit aventuresk. Këto plane nuk parashikojnë asnjë projekt për zhvillime infrastrukturore mbi lumin Shushicë. Gjithashtu, Projekti i ujësjellësit të Himarës në burimin e Lepushës, parashikon të mbledhë të gjithë ujin e këtij burimi, pa parashikuar rrjedhë ekologjike, ndërkohë që leja e ndërtimit, dhënë nga Bashkia Himarë, është marrë në tejkalim të kompetencës, e cila për këtë rast i takon Këshillit Kombëtar të Territorit

KONSULTIM ME PUBLIKUN…VETËM 2 BANORË DHE ME DHJETRA PUNONJËS ADMINISTRATE

Bashkia Himarë nëpërmjet përgjigjjes së Kërkesës për Informacion sqaron për “Sinjalizo” se Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FShZh), në rolin e zbatuesit të këtij projekti, Bashkia Himarë dhe Kfw (Banka Gjermare) kanë realizuar për më shumë se 2 vjet studime mbi prurjet ujore të burimeve në të gjithë territorin e Bashkisë Himarë, nga ku ka rezultuar se asnjë burim nuk mund të plotësonte nevojën apo kapacitetin e prurjeve dhe cilësinë e ujit të pijshëm.

“Gjatë këtij studimi i vetmi burim i cili plotëson kushtet e prurjes dhe cilesisë së ujit ishte burimi i Lepushës përgjatë rrjedhjes së lumit të Shushicës. Ky burim nuk është i vetmi burim në këtë lumë por lumi i Shushicës ka disa dhjetra burime të tjera…”,- thuhet në përgjigje, në të cilën më tej theksohet se nga prurjet kryesore të këtij burimi shfrytëzohet vetëm një pjesë e tij që do të ishte e papërfillshme për jetën e lumit.

Sipas dokumentave të vendosura në dispozicion të “Sinjalizo” nga ky Institucion rezulton se janë realizuar 3 takime informuese (3 nëntor 2020, dhe në datat 4-5 dhjetor 2023), dy në godinën e Bashkisë Himarë dhe një pranë një bari në afërsi të godinës së Bashkisë Selenicë.

Megjithatë, sipas list-prezencës së datës 3 nëntor 2020 që kjo bashki ka vendosur në dipozicion, rezulton se nga të 24 pranishmit, vetëm dy prej tyre janë deklaruar si “qytetarë”, ndërkohë që 11 prej të pranishmëve janë pjesë e administratës së Bashkisë Himarë.

Dy pjesëmarrësit e deklaruar si “qytetarë” janë banues në fshatin Pilur të Himarës, fshat i cili sipas projektit parashikohet të përfitojë nga projekti duke u furnizuar me ujë të pijshëm.

Lumi i Vjosës është një dëshmi e gjallë e ndërthurjes së natyrës dhe nevojave njerëzore—një simbiozë që kërkon respekt të ndërsjellë dhe menaxhim të matur. Konflikti midis ruajtjes së një peisazhi natyror dhe zhvillimit të infrastrukturës qëndron si një kujtesë se dialogu dhe qëndrueshmëria janë thelbësore për një të ardhme që nuk cenon Parkun Kombëtar.

Është e rëndësishme që në vendimin për ndërhyrje infrastrukturore të merren në konsideratë të gjitha pasojat e mundshme dhe që të inkurajohet dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i të gjithë palëve të interesuara, duke përfshirë komunitetet vendase dhe ekspertizën mjedisore. acqj.al