Ka nisur para Kryeministrisë protesta e opozitës, ndërsa këtij tubimi i është bashkuar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ky i fundit u nis nga banesa e tij drejt Kryeministrisë, ku po e presin mbështetësit e tij dhe deputetë të PD-së.
Berisha, e kishte paralajmëruar prej ditësh protestën para zyrës së Ramës, duke e cilësuar atë si “ditën e parë të parlamentit për qytetarët”.
Këta të fundit mbajnë në duar pankarta të ndryshme si “Noriega i Europës” ngjitur me foton e Ramës, apo “Palloshi dhe Lubia” duke iu referuar kreut të qeverisë dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku, zyrtarisht e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë.
Ndërkohë qindra forca policie ndodhen rreth Kryeministrisë për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.
Berisha dhe deputetët e PD-së kërkojnë largimin e kryeministrit Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, pasi kjo e fundit është marrë e pandehur nga SPAK në lidhje me tunelin e Llogarasë.
Pritet që PD të organizojë disa protesta, njëjtë si ato që u mbajtën para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohej dorëheqja e Erion Veliajt.