Instituti Parlamentar ka publikuar listën e personaliteteve kombëtare për muajin Tetor, ku shihet se mes figurave si Dritëro Agolli, Naim Frashëri apo Sulejman Delvina, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka futur edhe ish-diktatorin Enver Hoxha.
Diktatori që mbajti të izoluar vendin për 45 vite, duke vrarë dhe internuar mijëra familje, sot vendoset krah figurave të nderuara të kombit shqiptar, nga kryetari i një Kuvendi që cilësohet si “pluralist”, por vendimet i merr vetëm partia pasardhëse e Partisë së Punës.
Që zyrtarët socialistë kanë nostalgji për kohën e komunizmit është mëse e qartë, pasi ia kanë lënë gjithë pushtetin një personi të vetëm, që nuk ka ndërmend të ikë kurrë, por që të shkelet mbi gjakun e mijërave të vrarëve nga koha e diktaturës është e papranueshme.
Madje, nga Kuvendi i Shqipërisë, Enver Hoxha përshkruhet si udhëheqës i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, si Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar që ish-diktatori të hiqet menjëherë nga lista e personaliteteve kombëtare, por nuk dihet se çfarë mendimi do të marrë kryeministri Edi Rama dhe më pas do ta zbatojë vetë Niko Peleshi.
