Nga rritja në detyrë te dypunësimi pas daljes në pension, çfarë parashikojnë ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla që në nisje të vitit 2024, bëri me dije se do të ketë ndryshime rrënjësore në ligjin për Policinë e Shtetit. Kjo e fundit shpesh herë ka qenë e inkriminuar dhe disa drejtues apo ish-drejtues të saj janë arrestuar për shkak të lidhjeve me grupet kriminale.

Mjafton të përmendim këtu ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri të arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” apo edhe shefin e Kurbinit Dritan Metaj, për shkak të lidhjeve të tij me “baronin e drogës”, Gëzim Çela.

Sipas Ballës, synimi parësor i ndryshimeve është për ta dinamizuar dhe energjizuar trupën drejtuese të Policisë së Shtetit dhe të përmirësuar karrierën në Policinë e Shtetit të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Tashmë drafti me ndryshime në këtë ligj është gati, në pritje për tu miratuar.

Një prej tyre lidhet me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Përzgjedhja e këtij të fundit do të bëhet përmes një procedure konkurrimi të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe shprehin interes për këtë pozicion.

Ministri ngre një Komision ad hoc, i cili, pas procesit të vlerësimit të tyre, i propozon kandidaturat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Më pas emri i përzgjedhur nga ky komision, i dërgohet Ministrit të Brendshëm dhe ky i fundit e dërgon më pas për miratim në Këshillin e Ministrave.

Ndërkohë një pikë tjetër e rëndësishme janë edhe ndryshimet në nenin 84: Kriteret e përgjithshme për ecurinë në gradë.

Ecuria në gradë e punonjësit të Policisë bëhet nëpërmjet fitimit të njëpasnjëshëm të gradave, në përputhje me kriteret e përcaktuara, ku duhet të plotësojë kohën e qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme: i) nga “Inspektor” deri në “Nënkomisar”; 5 vjet; ii) nga “Nënkomisar” në “Komisar” 4 vite; iii) nga “Komisar” në “Kryekomisar” 4 vite; iv) nga “Kryekomisar” në “Drejtues” 4 vite; v) nga “Drejtues” në “Drejtues i parë”, 4 vite.

Me këto ndryshime, synohet që në fakt t’iu jepet mundësia dhe oficerëve të ndershëm, që të mund të ngjisin shkallët e karrierës. Dhe mbi të gjitha synon monopolizimin e strukturës drejtuese së Policisë së Shtetit.

Po ashtu punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë shërbimi, kur ka plotësuar 30 vite vjetërsi shërbimi vetëm në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka mbushur moshën 55 vjeç.

Ndërkohë masa e trajtimit të veçantë të shërbimit është 70% të pagës neto të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj.

Kjo nënkupton që çdo efektiv mbi 55-vjeç dhe që i ka shërbyer mbi 30 viteve radhëve të policisë, ka mundësinë që të dalë në pension dhe të përfitojë 70% të pagës aktuale.

Ndërkohë ndryshet në ligj parashikojnë se punonjësi i policisë gjatë periudhës që përfiton trajtim të veçantë shërbimi mund të punësohet ose të kryejë veprimtari tjetër private, pa iu cenuar e drejta e trajtimit të veçantë të shërbimit dhe zbaton detyrimet sipas legjislacionit në fuqi për dypunësimin.