Nga protestat, te rebelimi i Spiropalit dhe largimi i Marjana Koçekut, çfarë pritet të ndodhë në mbledhjen e PS-së

Qeveria e Edi Ramës po kalon ndoshta kohët më të vështira të saj që prej vitit 2013 kur erdhi në pushtet, pasi skandalet e shumta i kanë dhënë zë një prej protestave më të mëdha të viteve të fundit, e cila sot ka hyrë në ditën e 20-të.

Mes gjithë këtyre që po ndodhin, kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme në Pallatin e Brigadave duke filluar nga ora 10:00.

Mes socialistëve ka shumë për të diskutuar, sidomos pas rebelimeve të fundit brenda partisë.

E para ishte Elisa Spiropali, e cila jo vetëm që i doli kundër Ramës publikisht në lidhje me mbrojtjen që i bëri Belinda Ballukut nga SPAK, por arriti deri aty sa të bënte reagime të tjera edhe kur kreu i qeverisë e paralajmëroi me përjashtim.

Çështja e saj do të jetë një “patate e nxehtë” në dorën e Ramës, me këtë të fundit që mund të marrë edhe vendimin ekstrem për ta përjashtuar nga partia.

Pas Spiropalit, një tjetër që u rebelua ishte Marjana Koçeku, me deputeten e Shkodrës që vendosi vetë të dilte nga radhët e partisë për t’u pozicionuar si e pavarur, teksa socialistët vijojnë t’i kërkojnë të heqë dorë nga mandati.

Një tjetër çështje është ajo e Erion Braçes, i cili ka dalë kundër Ramës dhe ka kërkuar që të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Por, më e rëndësishme nga të gjitha është protesta e qytetarëve, që ka bërë jehonë në të gjithë mediat ndërkombëtare dhe ka treguar fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie.

Në mbledhjen e nesërme, pritet të ketë direktiva të tjera për deputetët dhe ministrat që të tentojnë të shuajnë revoltën popullore, pasi nuk arritën ta bëjnë dot duke shpikur ndërhyrje nga Greqia apo Irani.

Ndërkohë, nuk dihet nëse do të ketë ndryshime në qeveri, me një pjesë të mirë të ministrave që nuk e kanë bërë si duhet punën e tyre.