Nga Pashko tek Basha, 7 “hemoragjitë” e mëdha të Partisë Demokratike në 30 vjet

Partia Demokratike ka pasur disa “hemoragji” të forta përgjatë 30 viteve të ekzistencës së saj. Prej themelimit, forca politike që rrëzoi komunizmin, ka pasur një lider dominues, Sali Berishën. Ende aktiv në politikë, Berisha me numrat më të mëdha të opozitës, kërkon të rikthejë të djathtën për herë të tretë në pushtet, por kësaj radhe jo me logon e PD. Vula dhe emri që ai krijoi tashmë është marrë nga dikush tjetër. Por kjo nuk ka qënë hera e vetme që PD është përballur me largime dhe përplasje që i kanë sjellë Partisë Demokratike humbje të mëdha.

Më poshtë, përmbledhtas “hemoragjitë” e mëdha të PD.

Mocionistët, PAD

Viti 1992 shënon ndarjen e parë të PD-së në konferencën e jashtëzakonshme, Gusht 1992. Mocionistët ishin një grupthemeluesish që kundërshtuan elitën drejtuese të PD-së. Pas pak muajsh, ish-themeluesit, Arben Imami, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia etj, themeluan Partinë Aleanca Demokratike

PDD e Kalakulës dhe “Rimëkëmbja” e Baletës

Midis viteve 1993-1994, nga PD lindën dy parti që nuk lane asnjë shenjë në historinë e politikës shqiptare. Ishte Partia e Djathtë Demokratike e drejtuar nga Petrit Kalakula dhe“Rimëkëmbja Kombëtare” e drejtuar nga Abdi Baleta.

Lëvizja për Demokraci e Dashamir Shehit

Pas ngjarjeve të vitit 1997 prej nga Partia Demokratike doli e dërrmuar, pati edhe një shkëputje të disa ish-drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie. Në krye të tyre ishte Dashamir Shehi, të cilit iu bashkuan disa ish-funksionarë të PD-së

Reformatorët e Genc Pollos

Pas tërheqjes nga gara për kryetar të PD-së në vitin 1999, nënkryetari i PD-së së asaj kohe, Genc Pollo u largua për të themeluar bashkë me disa deputetë demokratë, “Partinë Demokrate të Re”. Pollo u rikthue në PD pas vitin 2009, duke shkrirë partinë që themeloi.

FRD e Bamir Topit

Pasi la presidencën, në shtator 2012, ish-nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, themeloi partinë “Fryma e Re Demokratike. Ish-presidentit iu bashkuan disa funksionarë demokratë në partinë e re FRD.

Bindja Demokratike

Në prill të vitit 2019, ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, do të themelonte partinë “’Bindja Demokratike’ për të hyrë në zgjedhjet vendore të qershorit 2019, zgjedhje që opozita e drejtuar nga Basha, i kishte bojkotuar.

Shtator  2021

Kryetari i PD-së Lulzim Basha përjashton liderin historik Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së. pas pak ditësh lind foltorja e Berishës dhe pak muaj më vonë PD ndahet në dy pjesë, foltorja dhe partia e vulës.

Maj 2023

Partia Demokratike, që institucionet i kanë dhënë të drejtën e vulës, duket se po pëson një ndarje të re. Grupi i demokratëve që nuk i janë bashkuar Berishës, po ndahen në dy pjesë, pro dhe kundër Lulzim Bashës. Prej këtij debati, duke se shpejt do të lindë një forcë e re politike.