Fushata MJAFT e nisi veprimtarinë e saj në 15 Mars 2003, me qëllimin e vetëm për të ndezur te qytetarët shpirtin e protestës për të drejtata e tyre. Temat që mbulonte kjo fushatë ishin të gjitha në interes të qytetarëve, të cilët vijuan ta mbështesin për muaj me radhë.
Pas 4 muajsh si fushatë, MJAFT u kthye në lëvizje qytetare ku çdokush kishte mundësinë të shprehte idenë e vet diku. Një lëvizje që mori mbështetje edhe më të madhe, aq sa në vitin 2008 drejtuesit vendosën ta kthejnë në parti politike, e cila u quajt G99. Këtu filloi edhe ndryshimi i MJAFT!
Edhe pse prej vitesh kishin sulmuar Partinë Socialiste nën drejtimin e Fatos Nanos dhe më pas edhe Sali Berishën gjatë qeverisjes së tij, duke u pozicionuar si një parti e qytetarëve, G99 filloi bashkëpunimin me socialistët, me disa prej drejtuesve të saj që u përfshinë në listat e Partisë Socialiste.
Erion Veliaj, dhe Ervin Mete ishin të parët që kaluan në PS, për të ardhur më pas edhe te shumë figura të tjera, të cilët morën poste të rëndësishme që vijojnë t’i mbajnë edhe sot.
Por kush janë MJAFT-istët që nuk u mjaftuan me lëvizjen qytetare, por u tunduan nga pushteti që u dha Rama?
Erion Veliaj, një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Mjaft dhe Partisë G99, u katapultua nga Rama si Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale në vitin 2013, sapo PS mori pushtetin, teksa qëndroi në atë post për 2 vite. Në vitin 2015, Rama do ta kandidonte si kandidat për Bashkinë e Tiranës, garë të cilën Veliaj e fitoi, ndërsa sot është në mandatin e tij të tretë në krye të bashkisë më të madhe në vend.
Elisa Spiropali, “snajperi” i Partisë Socialiste, sot mban postin e Ministres së Shtetit për Parlamentin, por të gjithë e mbajnë mend Elisën kur denonconte kushtet mizerabël të minatorëve. Pas denoncimeve të shumta erdhi edhe shpërblimi, me Ramën që e caktoi si drejtoreshë të doganave, një post që ndryshoi tërësisht Spiropalin. Akuzat ndaj saj janë të shumta, teksa ministrja akuzohet se gjatë kohës që ishte drejtoreshë, ka arritur të pasurohet me 5 milionë euro. Këto janë akuza të opozitës të cilat Spiropali i ka hedhur poshtë.
Milva Ekonomi shihej si “truri” i Lëvizjes Mjaft, të cilën Edi Rama nuk ngurroi ta afrojë pranë vetes dhe t’i japë poste të rëndësishme. Në vitin 2016 Rama e emëroi ministre të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe më pas Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, post që e mbajti deri ditën e djeshme, kur Rama e shkriu ministrinë që ajo drejtonte.
Olta Xhaçka do të mbahet mend si ministrja që përdori pushtetin për t’i dhënë bashkëshortit statusin e investitorit strategjik, por kjo nuk është çështja e vetme për të cilën ajo akuzohet. Akuzat ndaj saj janë të shumta dhe SPAK po vijon hetimet. Ashtu si ata më sipër, edhe Olta Xhaçka është një prurje e Ramës nga G99. Në mars të vitit 2017 ajo u emërua Ministre e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë, ndërsa në shtatot të poa tij viti, në kabinetin e qeverisë Rama 2 ajo mori Ministrinë e Mbrojtjes. Muajt e fundit Xhaçka ka qenë minister e Jashtme, ndërkohë që nga dje është pa një post në kabinetin qeveritar.
Etjen Xhafaj, ish kandidati i G99 në Durrës në vitin 2009, do ta shihte veten të katapultuar fillimisht si këshilltar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe më pas si Drejtor Kabineti në Ministrinë e Financave. KArriera e tij do të kishte vetëm ngjitje, pasi ai do të emërohej edhe në postet e Zv. Ministrit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Zv.Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sot ai është deputet i Partisë Socialiste.
Endri Fuga, këshilltari kryesor i kryeministrit Rama, është një nga personat më të afërt të kreut të qeverisë. Edhe pse daljet e tij publike janë shumë të pakta, puna e tij në prapaskenë është shumë e madhe. Ai kujdeset në çdo dalje televizive të Ramës, gjithashtu “fshihet” edhe pas postimeve në rrjetet sociale të kryeministrit, për ta bërë çdo gjë të duket perfekte, në Shqipërinë e zhytur në korrupsion. Fuga ka qenë një nga anëtarët e Lëvizjes Mjaft, të cilin Rama e mori në PS dhe i ka besuar edhe fushatat e tij.
Arbjan Mazniku do të jetë ministri i radhës i ardhur nga G99 në Partinë Socialiste. Prej vitesh ai ishte krahu i djathtë i Erion Veliajt, por tashmë Rama ka vendosur ta marrë pranë vetes, duke i dhënë Ministrinë e Punëve Vendore, të sapokrijuar. Mazniku cilësohet si një njohës i mirë i mënyrës sesi funksionon PS dhe njerëzve, ndaj për Ramën do të jetë një armë më shumë.
Ervin Mete ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të G99 së bashku me Erion Veliaj. Prej vitesh ai ka mbajtur poste si zv.ministër dhe drejtor i AMF (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare), por nga sot ai do të jetë Ministër i Financave, në një nga ministritë më të rëndësishme në vend. Për Meten thuhet se është edhe një nga rojtarët që Rama kishte caktuar për lëvizjet e Arben Ahmetajt kur ishte në krye të kësaj qeverie, por deri më tani mbetet vetëm një thashethem.
Klotilda Ferhati (Bushka) është një nga deputetet e Partisë Socialiste dhe kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Edhe ajo ka qenë pjesë e rëndësishme e G99, të cilën Rama e mori në partinë e tij. Ferhati është akuzuar nga opozita për shkak se burr ii saj në 5 vite e 10-fishoi pasurinë e tij.
Këta janë disa nga ish-MJAFT-istët që kanë patur poste në kabinetin qeveritar apo që janë bërë pjesë e rëndësishme e PS-së, por mund të përmendim edhe Andi Kananaj, Drejtor te Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile; Elton Kacidhja, Drejtor i UJësjellësit Tiranë; Genci Kojdheli, Drejtor i Investimeve Strategjike dhe Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës; Redi Shtino, zv.ministër në disa ministri etj.