Nga Enver Robelli
5 muaj në Tokën e Shenjtë: Mehdi Bej Frashëri – një shqiptar guvernator i Jerusalemit dhe Palestinës dhe një pritje me alkool.
5 muaj, nga korriku 1912 deri në dhjetor 1912, – kaq zgjati sundimi i Mehdi Bej Frashërit në Jerusalem dhe Palestinë si guvernator i Perandorisë Osmane. Mehdi Frashëri u lind më 26 shkurt 1872 në Frashër, një fshat në jug të Shqipërisë së sotme, i cili nxori figura të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare. Shkollën e Mesme e kreu në Manastir, ndërsa në Stamboll studioi shkencat politike dhe administratën shtetërore. Pastaj filloi karrierën në qeverinë osmane: u bë ndihmës i valiut të Ishujve të Egjeut, kajmekam në Peqin, në Ohër, në Traki dhe në Samsun të Detit të Zi. Por kulmin e karrierës Mehdi Bej Frashëri e arriti në vitin 1912 kur u emërua nga Perandoria Osmane guvernator i Jerusalemit dhe Palestinës. Ai arriti në Jerusalem më 26 korrik 1912, pra para 112 vitesh. Pak ditë më pas Mehdi Bej Frashëri mbajti një fjalim në një koloni hebraike. Ky gjest i shqetësoi arabët.
Gjatë vizitave të tij në kolonitë hebraike, Mehdi Bej Frashëri kërkoi një vend të përshtatshëm për hapjen e një shkolle bujqësore. Gazeta arabe “el-Munadi” nisi një fushatë kundër Mehdi Bej Frashërit duke e akuzuar se po ua mbante anën hebrenjve. Një një artikull kjo gazetë e kritikoi Mehdi Bej Frashërin se në festën e shpalljes së Kushtetutës lejoi që mysafirët të gostiten me pije alkoolike “për të treguar se ai është tolerant”, duke harruar se “qeveria përfaqëson kalifatin islamik dhe feja e saj ua ndalon myslimanëve që të pinë ose të sjellin alkool” (cituar nga libri “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme” të historianit Muhamed Mufaku).
Gazeta tjetër me emrin “Filastin” (Palestina) ishte optimiste sa i përket angazhimit të guvernatorit të ri. Ajo besonte se hapja e shkollave bujqësore do të ndihmonte në nxjerrjen e arabëve nga prapambetja. Mehdi Bej Frashëri lavdëroi përparimin në kolonitë hebraike dhe shpresoi se edhe arabët do të mësojnë prej tyre. “Filastin” botoi një letër të një fshatari arab, i cili kërkonte që Mehdi Bej Frashëri të mbetet në post për shumë vjet. Fshatari ankohej se në fshatrat arabe nuk kishte as shkolla, as mësues, ndërsa fëmijët e kalonin ditën në bërllok dhe injorancë. “E lus Allahun që ai të qëndrojë në këtë vend shumë vite, që ta na shohë si jemi rikrijuar ndryshe”, shkruante fshatari.
Megjithatë, Mehdi Bej Frashëri u shkarkua më 9 dhjetor 1912. Tri shkaqe përmendeshin për largimin e tij: konfliktet e brendshme politike të qeverisë në Stamboll, qasja prohebraike e Mehdi Frashërit (kjo i mllefoste arabët) dhe ndalimi i shijtes së tokave hebrenjve (kjo i zemëronte këta të fundit). Duket se secila palë kishte arsyet e veta për të qenë e pakënaqur me Mehdi Bej Frashërin. Por shtypi hebraik e pranoi se “ai ishte prej figurave më të mira të shtetit”.
Ndonëse ia ktheu shpinën Lindjes së Afërt, Mehdi Frashëri nuk e harroi konfliktin e atjeshëm. Mes viteve 1923 dhe 1939 ai ishte përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Më 21 shtator 1937 ai mbajti një fjalim para komitetit politik të Lidhjes së Kombeve, me ç’rast lavdëroi hebrenjtë, të cilët në Tokën e Shenjtë dërguan gjeologë e agronomë. Ata zbuluan burime uji në thellësi dhe moçalet i shndërruan në plantacione portokajsh.
Mehdi Bej Frashëri tha se një model për zgjidhjen e konfliktit mes hebrenjve dhe palestinezëve do të ishte themelimi i dy kantoneve për hebrenj dhe një kantoni për palestinezë (bazuar në modelin e Zvicrës). Ai ishte kundër zgjidhjes me dy shtete, sepse besonte se kjo do të shkaktonte tensione të përhershme. Edhe sot ka ekspertë që mendojnë ngjashëm si Mehdi Frashëri, sepse një shtet palestinez konsiderohet i paaftë për mbijetesë si pasojë e politikave kolonizuese të Izraelit. Ideja e Mehdi Frashërit ishte bashkëjetesa mes hebrenjve dhe palestinezëve. Gjatë fjalimit të tij në Gjenevë ai tha se nuk po fliste si përfaqësues i Shqipërisë, e cila nuk ishte e interesuar për këtë çështje, por mbështetur në përvojën e tij si mytesarif i Jerusalemit më 1912.
Ironia e historisë: më 21 tetor 1935 Mehdi Frashëri u emërua kryeministër i Shqipërisë, por më 7 nëntor 1936 Mbreti Zog e largoi, sepse nuk pajtohej me qasjen liberale të Mehdi Frashërit ndaj rivalëve politikë. Edhe fanatikët myslimanë të Palestinës e patën akuzuar Mehdi Frashërin si liberal për shkak se lejoi të konsumohet alkool në një pritje në Jerusalem.
Mehdi Frashëri u deklarua kundër pushtimit italian të Shqipërisë më 1939. Nën pushtimin gjerman (1943-1944) ai ishte kryetar i Këshillit të Naltë të Regjencës, i cili më 5 nëntor 1943 themeloi një qeveri të drejtuar nga Rexhep Mitrovica. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, Mehdi Frashëri braktisi Shqipërinë dhe jetoi deri në vdekje (1963) në Itali. Ai ishte një politikan me përvojë dhe u angazhua për kodifikimin e të drejtës shqiptare, mbështeti reformën agrare në Shqipëri, trajnimin e xhandarmërisë, zhvillimin e sistemit arsimor. Mbi të gjitha, ai hyri në histori si shqiptari i vetëm që ishte guvernator i Jerusalemit dhe Palestinës, por këtë kapitull të karrierës së tij ai nuk e theksoi aq pas pavarësimit të Shqipërisë.