Pasi fitoi lirimin me kusht, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u rikthye pasditen e kësaj të marte në selinë e Partisë Demokratike.
Ai e cilësoi dënimin e tij si politik me arguementin se denoncimi i tij preku një prej karteleve më të rrezikshme të drogës, të lidhura sipas tij me pushtetin e Edi Ramës.
Ish-deputeti tha se Shqipëria nuk përfitoi asgjë me dënimin e tij, por shtoi se një akt i tillë ishte një regres i fortë për demokracinë.
“Burg politik prej 10 muajsh, u ktheva në të njëjtën sallë në të cilën bëra demontimin e famshëm, një prej denoncimeve më efektive që ka bërë opozita dhe PD, ku brenda ditës pas denoncimit të vëllait të ish ministrit të brendshëm për trafik droge, u dorëzua tek autoritetet italiane i dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim dhe me mbrojtjen politike të Ramës dhe Xhafajt vazhdonte të ishte i lirë në Shqipëri.
Nga këtu nisi konferenca, në mbrojtje të interesit publik dhe tani rikthehem pas 10 muajsh, siç ua premtova nga kjo seli, ku nisa për tu vetëdorëzuar dhe për të kryer dënimin politik, sot ja ku jemi përsëri me të njëjtat sëmundje që ka Shqipëria, me një Shqipëri, e cila edhe me dënimin tim nuk pati ndonjë benefit, por regres në demokraci. Pas 30 e kusur vitesh, Shqipëria për herë të parë dënon politikisht për agjitacion dhe propagandë”, tha Salianji.
Ai theksoi se mezi pret përballjen me qeverinë shqiptare në Strasburg, për të kuptuar se ku qëndron e drejta.
“Do kem mundësi të bëj politikë nëpërmjet kontaktit me qytetarët dhe propozimet që vijnë nga PD-ja. Mezi e pres një përballje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut nëse kam pasur unë të drejtë apo qeveria. Duhet të sundojë ligji dhe shteti i të drejtës, nuk mund të kemi diku rëndim i barrës ndaj politikanëve dhe në rastet e tjera lehtësim”, tha Salianji.
Ish-deputeti demokrat pohoi se Gjykata e Lartë nuk e kishte zbardhur vendimin për rekursin e tij në kohë, duke e penguar që të ndiqte rrugën e ankimimeve të tjera në Kushtetuese.
Gjithashtu, Salianji shtoi se i ka kërkuar SPAK-ut që ta hetojë falsifikimin nëpërmjet shortit që bëri Gjykata e Lartë.
“Nuk krahasohet fushata elektorale me letrat nga burgu. Ka dhe një tjetër çështje me zvarritjen e rekursit tim në Gjykatën e Lartë, sjell rastin nëse nuk është bërë lajm, se është bërë falsifikimi nga Gjykata e Lartë nëpërmjet shortit dhe i kam kërkuar SPAK që të hetojë, për moszbardhjen në kohë të vendimit mbi rekursin tim. Ku është bërë zëvendësimi nëpërmjet shortit, që është përtej çdo ligji dhe shkeljeje. Gjykata e Lartë e ka me ligj brenda 60 ditësh duhet ta zbardhë vendimin dhe që të shkohej në më tej nga unë në Kushtetuese. Por kjo betejë do vazhdojë, nuk e bëj vetëm për veten time, por sikurse në 2013-2017 kur nuk kisha mandat dhe bëra fushatë në të gjithë vendin, do e bëj përsëri për PD-në”, theksoi Salianji.