Negociatat për kandidatin e Tiranës, Erald Kapri: Kemi bërë propozimin tonë, s’po vendosim asnjë kusht për emrin

Partia Demokratike ka vijuar sot takimet me partitë politike për të gjetur një emër me konsensus si kandidat për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë.

Dy negociatorët e PD, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti u takuan sot me deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe Barbara Dodën.

Deputeti Kapri në një komunikim për mediat pas përfundimit të këtij takimi tha se Mundësia nuk ka vendosur asnjë kusht lidhur me emrin që do të përfaqësojë opozitën në këto zgjedhje. Madje tha se ata kanë propozuar një emër, ndërsa shtoi se i qëndrojnë parimit që kandidati të jetë jashtë partive politike por unifikues për opozitën, të jetë me integritet, përballë kandidaturës së Partisë Socialiste.

“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut.Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Erald Kapri.

Ndërkohë Këlliçi e cilësoi si produktiv takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e Partisë Mundësia, dhe aleatët e tjerë, dhe tha se janë dakordësuar që të dalin me një kandidat të përbashkët. Megjithatë nuk pranoi që të përmende se cilët ishin emrat që janë propozuar si nga ata, si nga partitë e tjera opozitare.

“Ishte takim pozitiv produktiv. Kemi dakordësuar për faktin që do duhet të gjejmë një kandidaturë që duhet të unifikojë të gjithë spektrin opozitar. Ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Tiranës që të gjitha partitë politike dhe forcat politike, kanë një lloj konsensusi për të dalë me një emër që mund të përballet me Ogerta Manastirliun.
Dakordësia në parim është arritur për të gjetur një emër. Për propozime kemi diskutuar emra të përveçëm. Kemi rakorduar mbi profilin që do duhet të kemi bashkarisht për një kandidat/e. Nuk kam ndërmend të dalim në emra konkret sot”-tha Këlliçi.