Negociatat për kandidatin e përbashkët për Tiranën, Shehaj: U shkelën parimet, Berisha hodhi në erë procesin

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj doli sot në një konferencë për mediat, pak orë pasi PD tha se mbështet Florjan Binajn si kandidat për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë.

Shehaj tha se kandidati i propozuar prej tyre, Ermal Hasimja pati fillimisht mbështetjen e PD-së ndërsa sot kryedemokrati Sali Berisha hodhi në erë të gjithë procesin e bërë dhe njëkohësisht negociatat mes partive opozitare.

“Berisha bëri fakt të kryer kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës. Berisha hodhi në erë procesin e ndërtuar. PD kishte shansin të shkonte përtej vetes. U shkelën parimet që kishim ndarë. Ai tha se ishte dakord për një kandidat të pavarur. Është e paqartë sesi ata kanë dalë në konkluzionin se si kandidati ka më shumë shanse. Nuk mund të merret një kandidat kur nuk është bërë një sondazh. Morën një vendim pa të dhëna të sakta”- u shpreh Shehaj.

Sipas kryetarit të partisë Mundësia, PD-së nuk i interesonte fakti për të dalë në zgjedhje me kandidatin më të mirë, ndërkohë shtoi se qëndrimin e tyre do e bëjnë publik në ditët në vijim.

“Nuk i interesonte fakti që të dalim me kandidatin më të mirë dhe të përbashkët. Ne po punonim që të arrnim qëllomin që të dilnim me nje kandidat të përbashkët. Ky nuk është më synimi i PD. Në vijim do mbledhim strukturat dhe do mbajmë një qëndrim.

Qëllimi ishte të dilnim me kandidatin më të mirë. Nuk e arritëm qëllimin tonë. Në ditët në vijim do vendosim qëndrimin tonë”- tha Shehaj.