Në shtetin më të korruptuar të Europës, të korruptuarit mbrohen me ligj

Teksa raportet ndërkombëtare e paraqesin Shqipërinë si një vend që prej vitesh renditet ndër më të korruptuarit në Europë, i fundit ai i Transparency International, skandali nuk është më vetëm korrupsioni.

Skandali i vërtetë është përpjekja për ta mbrojtur korrupsionin me ligj, sepse sot kur drejtësia guxon të afrohet te pushteti, pushteti ndryshon rregullat e lojës.

Propozimi i Partisë Socialiste për t’ua hequr gjykatave të drejtën që të pezullojnë ministra nën hetim është tregues i qartë se si pushteti tenton të mbrohet kur ndjen se rrethi po ngushtohet.

Rasti i Belinda Ballukut tregon më së miri se nuk kemi të bëjmë vetëm me personin, por me modelin e pushtetit që është ndërtuar. Një pushtet i centralizuar, i pakontrolluar nga institucionet, që e sheh drejtësinë si rrezik politik.

Kur një ministre e nivelit të saj merret e pandehur për afera korruptive që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit qindra milionë euro, reagimi normal në një shtet serioz do të ishte dorëheqja e menjëhershme për të mos ndikuar procesin. Në Shqipëri, reagimi është ndërtimi i një mburoje ligjore që ta bëjë këtë të pamundur.

Justifikimi gjithmonë mbetet “prezumimi i pafajësisë”, të cilin kryeministri Rama e përmend çdo herë për t’i mbushur mendjen qytetarëve se bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë të pafajshëm derisa gjykata të vendosë, por harron gjithmonë të përmendë edhe akuzat që rëndojnë mbi ta.

Por prezumimi i pafajësisë nuk do të thotë paprekshmëri, pasi e vetmja gjë që kërkohet është minimumi i standardit demokratik, që një njeri me pushtet ekzekutiv të mos e përdorë atë pushtet si mburojë personale ndaj drejtësisë.

Në Shqipëri, prezumimi i pafajësisë është shndërruar në alibi për të qëndruar në pushtet pavarësisht çdo hetimi apo skandali.

Institucionet që u ngritën për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, si SPAK dhe GJKKO, tashmë po shihen gjithnjë e më shumë nga pushteti si problem dhe jo si zgjidhje. Sa herë që drejtësia afrohet te pushteti, nis propaganda për “ndarje pushtetesh” e “bllokim qeverisjeje”.

Në fund, ajo që kuptohet nga të gjitha këto është se ky nuk është më shtet i së drejtës, por regjim i privilegjeve politike. Dhe në një shtet që renditet ndër më të korruptuarit në Europë, momenti kur fillon të mbrosh të fortët me ligj është momenti kur pranon zyrtarisht se korrupsioni nuk është devijim i sistemit, por është vetë sistemi.