Megjithë promovimin që i bëhet turizmit në Shqipëri, hapësirat publike vijojnë të zaptohen dhe policia vazhdon t’i evidentojë ato në mes të sezonit turistik.
Në Sarandë ka nisur një operacion i quajtur “Plazh i lirë” i cili synon të lirojë hapësirat publike në të gjithë vijën bregdetare të Sarandës.
Gjatë kontrolleve të para të kryera në nisje të këtij operacioni, në plazhin e quajtur “Pasqyrat”, është konstatuar një rast i “pushtimit” të hapësirës publike, për ta shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë sekuestruar 20 çadra dhe 40 shezlongë, të vendosura nga shtetasi F. M., pa lejen e bashkisë Sarandë. Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për këtë shtetas ndërsa njofton se operacioni vijon.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët ekonomikë që operojnë në vijën bregdetare, që të zbatojnë ligjin, të mos pushtojnë në mënyrë të kundërligjshme sipërfaqe plazhi me qëllim përfitimin, si dhe të mos kryejnë ndotje akustike.
“Në këtë kuadër ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërive”, thuhet në njoftimin e policisë.